Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

“Teatri i Ëndrrave”, skena e duelit epik, “Djajtë e Kuq” për hakmarrje ndaj Cityzens

Derbi i Manchesterit do të rrëmbejë vëmendjen e madhe të javës së 20-të në Premier League. United dhe City do të zbresin në “Old Trafford” për një duel që do të përcaktojë shumë verdikte, për një 90-minutësh prestigji, rivaliteti dhe maksimalisht të luftuar. Mbi të gjitha, do të jetë një përplasje karakteresh. Erik ten Hag përballë Pep Guardiolës. I riu që kërkon të lërë gjurmën e tij në futbollin e madh të Ishullit ndaj një gjeniu të provuar që vijon të mbetet “njeriu për t’u mundur”.

Holandezi ka gjallëruar një ambient të vdekur, duke risjellë entuziazmin dhe dëshirën ndërkohë që numrat e konfirmojnë qartë progresin që skuadra ka nën hegjemoninë e tij. 20 fitore në 27 ndeshjet e para dhe 52-vjeçari është bërë i pari trajner që e arrin një shifër të tillë kaq shpejt tek Man.United.

Eliminimi nga Carabao Cup nuk duhet të influencojë formën e City-t të Guardiolës në kampionat. Me edicionin që futet në një fazë të rëndësishme, hapat fals janë të patolerueshëm, marrë në konsideratë Arsenalin që po fluturon në krye të renditjes dhe që ka aspirata të larta për titullin kampion.

Ky moment i sezonit paraqet një United totalisht të transformuar në krahasim me atë që u ndesh me City-n në muajin Tetor, kur u mposht thellë dhe bindshëm me rezultatin 6-3. Fitoret e njëpasnjëshme, euforia dhe karakteri i treguar së fundmi kanë qenë faktorë kyç në këtë ringritje, me “Djajtë” që kanë rritur pretendimet dhe tani ndodhen në vendin e katërt, vetëm 4 pikë më pak se rivalët e qytetit. Pas tetë fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet, ky është pa dyshim testi i parë i rëndësishëm dhe që do të shërbejë edhe si një barometër për të parë rritjen e ekipit në javët e fundit.

Guardiola u shpreh në konferencën për shtyp pak ditë para ndeshjes se do të përgatisë takimin në një mënyrë të atillë që do të surprizojë Man. United, e pavarësisht mungesave të John Stones dhe Ruben Dias apo faktit që Walker dhe Cancelo janë jashtë forme, sërish tekniku spanjoll mbetet i paparashikueshëm dhe me “yje” në ekip si Foden, Mahrez, De Bruyne dhe me një si Erling Haaland në majën e sulmit që ka shënuar deri më tani një shifër të çmendur prej 21 golash në 16 ndeshje, Citizens mbeten gjithnjë favoritë kryesorë.

“Djajtë e Kuq” nuk humbasin në shtëpi në kampionat që prej Gushtit, kur thyheshin nga Brightoni ndërsa gjatë këtij harku kohor kanë shënuar disa fitore me peshë në impiantin e tyre, ku vlejnë të përmenden triumfet ndaj Liverpoolit, Arsenalit dhe Tottenhamit. Megjithatë, kur bëhet fjalë për vitet e fundit, statistikat nuk janë në favor të United, që ka humbur 9 nga 14 ndeshjet e fundit si pritës ndaj rivalëve të qytetit, ndërsa suksesi i tyre fundit është në kohën kur ekipi drejtohej nga Solskjaer në 2020, kur vendosnin golat e McTominay dhe Martial, me këtë të fundit që pritet ta nisë nga minuta e parë derbin e së shtunës.

Mënyra se si vijnë skuadrat, forma e mirë dhe pozicionet e afërta në renditje e bëjnë një nga derbit më specialë dhe më të shumëpritur të viteve të fundit. Do të jetë përballja e 189-të në historinë e jashtëzakonshme të dueleve mes njëra-tjetrës. Në përballjet direkte United është pa dyshim më superior, kjo për shkak se “Djajtë” kanë përjetuar periudha suksesi shumë më herët se sa Qytetarët, si në kohën e Sir Matt Busby apo Sir Alex Ferguson. Sidoqoftë, me ngritjen e jashtëzakonshme në vitet e fundit, City ka ngushtuar goxha terren, teksa numëron tetë kampionate dhe mund të konsiderohet si skuadra që ka vendosur diktatin në vitet e fundit në futbollit anglez, për titujt e fituar, lojën dhe spektaklin që kanë dhuruar në fushën e lojës. Erik ten Hag do ta ketë të vështirë të shmangë narrativën e “hakmarrjes” për humbjen 6-3 kur skuadra e tij e rinovuar dhe e rigjallëruar të mirëpresë City-n në “Teatrin e Ëndrrave”, që është kthyer përsëri në burim ëndrrash pas sinjaleve shpresëdhënëse të dhëna në muajt e fundit.

Pas një dekade dominimi Blu në Manchester, kësaj radhe është United që shkon në derbi si “fqinji i zhurmshëm”, të dobëtit që janë në rritje dhe plot vetëbesim përpara provës së tyre të zjarrit dhe më të fortë deri më tani.

Ndeshjen më të rëndësishme të fundjavës do të keni mundësi ta ndiqni si gjithmonë në Supersport, duke filluar nga ora 13:30, me emision të dedikuar para dhe pas takimit.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...