Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kombëtare

Tedi Cara: Fanella kuqezi, vlerësim dhe motivim

Numri 22 i Partizanit, sulmuesi Tedi Cara, është tashmë pjesë e “arenës së gjigantëve”. Në derbin kundër Tiranës, ai tregoi forcë dhe karakter, diçka jo e zakonshme për një 20-vjeçar. Pjesë e përfaqësueseve të moshave, ai ende nuk e ka marrë ftesën nga Kombëtarja A. Përveçse ndiqte ndeshjet e idhullit të tij, Rikardo Kaka, si i çmendur në televizor, futbollin e praktikonte në lagje, me shokët e tij.

Prindërit besuan te talenti i tij dhe fillimisht e regjistruan të stërvitej me klubin e Besës së Kavajës, ndërsa Cara ia shpërbleu duke u bërë pjesë e klubit kryeqytetas të Partizanit. Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar”, në fshf.org, ai tregon se dashuria për futbollin e ka bërë të sakrifikojë shkollën.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Si fëmijët e tjerë, edhe unë kisha shumë dëshirë të luaja futboll dhe në fillim luanim me shokët në lagje çdo pasdite kur ktheheshim nga shkolla. Më pas, filluam të shkonim shpesh në kalçeto. Mua më pëlqente shumë të luaja dhe prindërit e mi e panë që unë kisha talent dhe luaja me dëshirë dhe me pasion të madh. Kështu, ata vendosën të më lejonin që të filloja stërvitjen me ekipin e Besës, ku shkoja çdo ditë. I jam vërtetë falënderues atyre, sepse besuan tek aftësitë e mia dhe më lejuan që unë të ndiqja pasionin tim.

– Je pjesë e Kombëtares se moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në ekipin kuqezi?

– Fillimisht dua të theksoj që ndihem vërtetë i vlerësuar që e kam veshur këtë fanellë në çdo grup-moshë të Kombëtares dhe është një motivim shumë i madh. Me çdo trajner, me stafet e ekipeve kombëtare, me djemtë, kam pasur një marrëdhënie vërtetë shumë të mirë dhe vazhdoj të kem një marrëdhënie shumë të mirë.

– Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Deri tani jam shumë i kënaqur. Me Partizanin jemi në rrugën e duhur, kjo edhe falë punës së të gjithëve dhe harmonisë që kemi në grup. Kemi një objektiv, që është titulli kampion dhe besoj që me këtë grup të mirë që kemi, deri në fund të sezonit do ta arrijmë këtë objektiv.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

– Shumë i lumtur realisht sepse gjithmonë e kam pasur ëndërr që një ditë të isha pjesë e Kombëtares. Tani dëshira ime e madhe është të debutoj me Kombëtaren e madhe, pasi normalisht është ndjesi tjetër. Në debutim e nisa mirë, duke fituar një ndeshje miqësore.

– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë? 

– Kjo grup-moshë ka shumë lojtarë cilësorë që mund të bëjë shumë mirë. Objektivi ynë është të kualifikohemi dhe të ecim përpara. Në kualifikueset e kaluara kishim mundësi kualifikimi por nuk ia dolëm, pavarësisht se kemi treguar karakter dhe jemi përmirësuar shumë në lojë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– E kam ende të freskët momentin më të lumtur në jetën time, që ka të bëjë me derbin kundër Tiranës, ndeshje që e fituam me rezultatin 1-0. Kam pasur shumë dëshirë të luaj një derbi dhe përveç kënaqësisë që mora që u aktivizova në lojë, arritëm edhe të fitonim.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Kur isha i vogël nuk kam shkuar shpesh në shkollë, pasi shkoja në stërvitje, por edhe shumë gjëra të tjera që i kam lënë pasi i jam përkushtuar shumë futbollit.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im është që të marr ftesën e Kombëtares A dhe të luaj në një ekip jashtë vendit.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Kur kam qenë i vogël, kam pasur idhull Rikardo Kaka dhe prej tij kam nisur ta ndjek futbollin si i çmendur. Edhe tani që jam te klubi i Partizanit, kam marrë numrin që ai ka pasur tek ekipi i Milanit, numrin 22.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...