Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kombëtare

Tetë vite kuqezi, Mavraj “zemra” e brezit të artë të Kombëtares Shqiptare

“Përshëndetje të gjithëve. Dua t’u njoftoj se nga sot nuk do të jem pjesë e Kombëtares Shqiptare”. Me këto fjalë e nis Mërgim Mavraj mesazhin e lamtumirës nga kombëtarja kuqezi, fanellën e të cilës e veshi për plot 50 ndeshje në harkun e 8 viteve dhe ku siç e pranon edhe vetë, mori kënaqësi të shumta.

Urtësia, karizma dhe kthjelltësia edhe në momentet më të vështira janë cilësitë që futbollisti 34-vjeçar ka shfaqur gjithmonë në fushën e lojës e jashtë saj dhe që nuk mund të mos i nxirrte në pah edhe në mesazhin e lamtumirës, ku në më pak se tre minuta falënderon familjen, të gjithë njerëzit me të cilët ka punuar në Kombëtaren Shqiptare, e mbi të gjithë tifozët shqiptarë për përkrahjen e pakursyer që i kanë dhënë vazhdimisht.

I lindur në Hanau të Gjermanisë Perëndimore, por me prindër nga Istogu i Kosovës, Mavraj u rrit në ekipet e moshave të Kicker Offenbach dhe Darmstadt 98, skuadër me të cilën edhe debutoi në futbollin profesionist më 18 mars të 2006-ës, në një ndeshje në ligës së tretë gjermane.

Më 1 janar të 2007-ës iu bashkuar skuadrës së Bochumit, që militonte në Bundesligën e parë, por që fillimisht u angazhua në skuadrën e rezervave dhe vetëm një vit më vonë u bë pjesë e ekipit të parë, duke luajtur 23 ndeshje brenda sezonit 2008-2009 dhe 27 ndeshje në sezonin pasardhës.

Gjatë kësaj kohe Mavraj arriti të bëhej pjesë edhe e Gjermanisë U21, fanellën e të cilës e veshi për dy ndeshje, ndërsa më pas në janar të 2010-ës u transferua te Greuther Furth, ku luajti për 4 sezone, 3 në Bundesligën e dytë dhe një në Bundesligën 1, gjithmonë si protagonist, duke regjistruar 114 ndeshje dhe 4 gola.

Periudhën më të artë në karrierën me klube e ka pasur gjatë periudhës 2014-2018, ku ka luajtur për 4 sezone në Bundesligën gjermane, pjesën më të madhe me fanellën e Kolnit dhe së fundi me Hamburgun.

Pas dy refuzimesh për arsye të ndryshme, fillimisht në 2006-ën dhe më pas në 2010-ën, Mërgim Mavraj vendosi t’i bashkohet Kombëtares Shqiptare në vitin 2012, kur në pankinë ishte italiani Gianni De Biasi dhe debutoi më 22 maj të po këtij viti në një miqësore përballë Katarit, të zhvilluar në Spanjë dhe të fituar nga kuqezinjtë me shifrat 2-1.

Që atëherë, mbrojtësi karizmatik ka zbritur në fushë plot 50 herë me fanellën kuqezi mbi shpinë dhe ka qenë një nga futbollistët me kontribut madhor në arritjen historike për Shqipërinë, kualifikimin për në Kampionatin Europian 2016, ku edhe luajti titullar në tre ndeshjet e zhvilluara në Francë.

Me fanellën e Shqipërisë, Mavraj ka arritur të shënojë 3 gola dhe në fushë ka mbajtur për disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit, ndërsa vitet e fundit karriera e mbrojtësit është kushtëzuar nga dëmtimet e shpeshta, që nuk e kanë lejuar të tregojë më të mirën në fushën e lojës.

Aktualisht mbrojtësi 34-vjeçar është pjesë e Greuther Furth-it në Bundesligën e Dytë gjermane, ndërsa sot ka vendosur të mbyllë një etapë të rëndësishme të karrierës së tij, atë të angazhimit me kombëtaren shqiptare, të cilës “i ka zbardhur faqen” ashtu si edhe vetë Mavraj deklaroi se e ka pasur si qëllim të jetës së tij.

Faleminderit Mërgim Mavraj!

Lajme të tjera

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...