Kategoria Superiore

Teuta nuk ndalet, nga Flamurtari vjen edhe Lancinet Sidibe

Lancinet Sidibe është përforcimi më i fundit i Teutës. Burime kanë konfirmuar për “Sport News” se lojtari ka gjetur përfundimisht akordin me drejtuesit e klubit dhe pritet të nënshkruajë edhe kontratën me “Djemtë e Detit”. Palët ishin në bisedime prej kohësh, por disa detaje ende nuk ishin përmbushur, tashmë duket se gjithçka është mbyllur me sukses. Në këtë mënyrë do të shkojë në tre numri i futbollistëve që sezonin e shkuar ishin pjesë e Flamurtarit, ndërsa këtë edicion kanë zgjedhur Teutën. Përpara Sidibes patën firmosur Kamara e Bicaj. 21- vjeçari nga Guinea ishte një titullar i padiskutueshëm në të vetmin sezon që kaloi me kuqezinjtë, duke spikatur me paraqitjet e tij,  ndërsa më parë ka kontribuar edhe për Besëlidhjen e Lezhës.

Afrimi thuajse i sigurt i mesfushorit, për të cilin drejtuesit e Teutës së bashku me trajnerin Shkëmbi po këmbëngulnin prej kohësh, u shton jo pak potencialin “Djemve të Detit”. Kjo është prurja e 12-të e klubit durrsak gjatë merkatos së verës. Një revolucion për të ndryshuar tendencën negative të viteve fë fundit me synimin për ta dërguar Teutën në kompeticionet europiane.

To Top