Jurgen Bardhi dhe Alban Hoxha do të jenë në fushën e blertë pas angazhimeve me kombëtaret, por Partizani në Durrës do të luajë pa 4 emra të rëndësishëm, sulmuesin Edgar Çani, Fejzullahin, Filin dhe Basrak. Ndeshja vendimtare për të kuqtë në qytetin bregdetar vjen në një moment delikat pasi skuadra kryeqytetase do të sfidojë një prej ekipeve më në formë të momentit. Në “Niko Dovana”, ekipi i drejtuar nga Mark Iuliano nuk ka rrugë tjetër përveç fitores, por kujdes, Teuta e Maganit ka arritur të rikthehet mes skuadrave të frikshme ne kampionatit dhe në Durrës për çdo kundërshtar do të jetë një transfertë e vështirë.
Pushimi i kampionatit u ka bërë mirë të dyja skuadrave që kanë fituar oksigjen pasi brenda 10 ditëve ekipet do të zbresin në fushë plot 3 herë dhe ky mund të jetë muaji më i rëndësishëm i sezonit. Ndryshe nga një vit më parë, Partizani e shikon veten në vendin e parafundit duke bërë një nga startet më të dobët të dekadave të fundit, ndërsa Teuta me 7 pikë ka vendosur si objektiv zonën europiane dhe rezultatet e 4 javëve të para i japin të drejtë trajnerit Gugash Magani. Ndeshja do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Durrësit ku vendasit do të tentojnë të thyejnë mallkimin prej 4 ndeshjesh pa asnjë fitore ndaj të kuqve.
Sezonin e kaluar, “Djemtë e Detit” nuk arritën të dominonin asnjëherë ndaj kryeqytetasve dhe fitorja e fundit e Teutës ndaj Partizanit daton në 18 Majin e vitit 2016 me atë sukses 2-0 në kryeqytet. Gjithseis, ky mbetet një duel jetik për të ardhmen e Partizanit që pas 4 javëve të para kja grumbulluar vetëm dy pikë por nuk e ka gjetur asnjëherë rrugën e rrjetës. 90 minutat që do të luhën në “Niko Dovana” do të japin shumë përgjigje jo vetëm për të ardhmen e Mark Iulianos por edhe për një pjesë të madhe të skuadrës.
