Ballkani ngec në një barazim në Skenderaj ndaj Drenicës, Gjilani rigjen fitoren pas pesë javësh në kampionatin dardan, teksa u mbyll në barazim 3-3 takimi Trepça ’89-Llapi.
Kampionët e Kosovës, të cilët dolën pa pikë nga përballja e së enjtes ndaj Sivassporit (1-2) në Conference League, morën një pikë pas barazimit 1-1 në transfertën kundër kuqezinjve.
Osman Mziu kaloi Drenicën në avantazh në minutën e 54’, por skuadra nga Suhareka evitoi humbjen falë golit të kapitenit Armend Thaqit nëntë minuta përpara fundit.
30-vjeçari, i cili po kalon një nga momentet më të bukura në karrierë, realizoi një gol shumë të bukur. Ballkani numëron 22 pikë, pesë më pak se Drita kryesuese, që ka zhvilluar dy ndeshje më shumë se djemtë e Ilir Dajës.
Gjilani doli me pikë maksimale nga transferta ndaj Malishevës. Ish-sulmuesi i Partizanit në Superiore, Theophilius Solomon shënoi golin e fitores për “Skifterat” në minutën e 51’.
Triumf tepër i rëndësishëm për Gjilanin, që është ngjitur në vendin e tretë më 18 pikë. Trepça (Muja, Sekiraqa, Gashi)’89 dhe Llapi (Shabani, Fazliu, Alidema) ndanë nga një pikë pas barazimit spektakolar në Mitrovicë.
