Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Thiem fiton turneun e parë Slam, triumfon në US Open

Dominic Thiem mundi në pesë sete gjermanin Alexander Zverev, duke u kurorëzuar me titullin në US Open. Titulli i parë i madh në karrierë për 27-vjecarin nga Wiener Neustadt, që bëhet në këtë mënyrë edhe tenisti i parë austriak që ia del mbanë për të fituar një turne të Grand Slam-it, pas plot cerek shekulli, më saktë që nga viti 1995 kur Thomas Muster triumfoi në dheun e kuq parizien, në Roland Garros. Mendohej se trofeu i parë i madh në karrierë për Domin do të vinte pikërisht në clay, duke patur parasysh karakteristikat e tij si dhe dy finalet e humbura radhazi në Slam-in Francez, me “mbretin e fushave me dhe” Rafael Nadal, apo qoftë edhe në filimin e këtij viti, kur tenisti vjenez lëshoi në mënyrë të pashpjegueshme teksa kryesonte 2-1 dhe po dominonte numrin 1 të botës Novak Djokovic në finalen e Australian Open. Gjërat me sa duket janë të shkruara dhe Dominic Thiem përfitoi në maksimum nga mungesa e kampionit në fuqi Rafael Nadal, veteranit Roger Federer apo dhe vetë tenistit serb, që u skualifikua fare nga organizatorët, në këtë edicion jubilar të Slam-it Amerikan. Një titull i djersitur dhe i fituar pas plot katër orëve lojë, pikërisht ndaj mikut të tij Alexander Zverev, që mori pjesë për herë të parë në karrierë në një finale të turneve Slam.

Dy miqtë zbritën në Stadiumin Arthur Ashe mes emocioneve të shumta, të kuptueshme natyrisht për shkak të përgjegjësisë së madhe që ofronte një finale e tillë, me mundësi reale për të triumfuar, duke marrë në konsideratë faktin që përballë këtë herë nuk qëndronte asnjë nga tenistët e treshes së madhe të këtij sporti. Më i qetë në pamje të parë dukej sigurisht numri 3 i botës, për shkak të eksperiencës së tij të madhe si dhe bilancit tepër të favorshëm 7-2, në përballjet e mëparshme ndërmjet tyre, madje edhe në Melbourne Park në fundin e muajit janar Domi e pati mposhtur Sascha-n në katër sete, në gjysmëfinalen e Slam-it Australian, duke përmbysur disavantazhin e setit hapës. Tenisti gjerman nuk ishte shquar shumë për fillime të vrullshme të ndeshjeve, gjatë këtij edicioni të fundit në US Open, madje në fazën gjysmëfinale në sfidën me spanjollin Pablo Carreno Busta 23-vjecari nga Hamburgu e gjeti veten në disavantazhin e dy seteve.

Sidoqoftë, edhe këtë herë tenisti me origjinë ruse e filloi takimin ndërmjet tyre si në Australi dhe tenisti vjenez që kishte humbur vetëm një set në total gjatë këtyre dy javëve i befasuar e pa veten në disavantazhin e dy seteve, pas vetëm 80’ lojë. Në fushën qendrore të Kompleksit Billie Jean King Sascha u shfaq dominues dhe e theu nga dy herë në servis në dy setet e para tenistin austriak, madje Alexander Zverev kishte rastin për ta mbyllur 6-1 setin e dytë, por i shpërdoroi që të trija mundësitë për break, që pati në dispozicion. Në këtë moment filloi një lloj kthese për tenistin austriak, që në game-n e tetë të setit të dytë pasi i anuloi një tjetër set point rivalit të tij, e theu në servis Sascha-n në mundësinë e tij të parë për break të ndeshjes. Ndonëse nën presion Zverev ia doli për ta fituar atë set, madje numri 7 i botës në finalen e tij të parë në karrierë mori avantazhin e dy seteve dhe të një game me break, teksa i rrëmbeu shërbimet 27-vjecarit vjenez që në game-n e tretë të setit pasardhës. Padyshim momenti që ktheu takimin ishte pikërisht game i katërt, që rezultoi edhe më i gjati i ndeshjes, sepse në atë game Dominic Thiem ia doli për të sulmuar menjëherë me kundërbreak, duke e thyer në këtë mënyrë në servis numrin 3 të botës në tentativën e tij të katërt. Domi përmirësoi shërbimin dhe 23-vjecari me origjinë ruse nuk pati më asnjë mundësi për break në dispozicion, sidoqoftë fati i setit të tretë u përcaktua në game-n e dhjetë kur Zverev u thye me break, pikërisht në momentin që shërbente për të qëndruar në atë set, ndërsa në setin e katërt i vetmi game me break u regjistrua në game-n e tetë. Loja ndryshoi shumë dhe Thiem theu në servis që në game-n hapës tenistin gjerman, megjithatë Sascha reagoi shkëlqyeshëm, duke u kundërpërgjigjur menjëherë. Ishte një set tepër i tensionuar për të dy, ku u regjistruan plot 6 game me break. Zverev sulmoi në game-n e tetë për t’u shkëputur 5-3, gjithsesi pikërisht në momentin që shërbente për titullin 23-vjecari nga Hamburgu vuajti presionin dhe dorëzoi shërbimet.

Nga 5-3 për Sascha-n Thiem fluturoi në epërsinë 6-5, me avantazhin e një game me break, sidoqoftë edhe tenisti austriak vuajti presionin e tmerrshëm dhe për pasojë u thye edhe ky me break në momentin që shërbente për të fituar trofeun. Në tie break Zverev shkaktoi dy gabime në shërbim, që rezultuan përcaktuese për gjithë fatin e këtij dueli, megjithëse për hir të së vërtetës tenisti gjerman e përfundoi finalen me plot 15 dopio faulla. Të parin mini break në lojën përcaktuese e siguroi Sascha, gjithsesi Domi rekuperoi për të fluturuar në shifrat 6-4. Tenisti austriak që në fundin e ndeshjes, pati probleme të shumta fizike për shkak të ngërcit të vazhdueshëm shpërdoroi dy mundësi shumë të mira, sidoqoftë pas ndërrimit të fushave Thiem mori edhe dy pikët e fundit të ndeshjes, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 2-6, 4-6, 6-4, 6-3, 7-6. Zverev e përfundoi takimin me 52 goditje fituese dhe plot 65 gabime, pra 9 goditje fituese më tepër se kundërshtari dhe 10 gabime më shumë. Në fund Thiem e mbylli ndeshjen me 163 pikë, kundrejt 159 që grumbulloi gjithsej Alexander Zverev.

Kjo është finalja e parë në historinë e US Open që mbyllet me tie break në setin final, ndërsa Thiem u bë tenisti i parë në kohët moderne që ia del për të përmbysur disavantazhin e dy seteve në një finale të Slam-it Amerikan. 27-vjecari vjenez u bë tenisti i parë i lindur në vitet 90 që shënon emrin në një turne të Grand Slam-it, ndërkohë Thiem u bë gjithashtu tenisti i 55 që siguron një turne Slam në kohët moderne dhe i 150 gjithsej në historinë e këtij sporti. Pas pikës së fundit Dominic Thiem u shtri përdhe, ndërsa miku i tij i mirë me të cilin është njohur që në vitin 2014 e priti derisa u ngrit për ta përqafuar, duke e uruar për triumfin, ndërsa Domi në krahun tjetër në fjalimin e tij deklaroi se ishte një finale tepër emocionuese që meritonte të kishte dy fitues.

Pavarësisht disfatës Sascha u bë tenisti më i ri në moshë që arrin një finale në turnetë Slam, që nga viti 2010, kur debutoi në finale pikërisht në US Open tenisti serb Novak Djokovic. Ky është vetëm rasti i pestë në kohët moderne të këtij sporti kur një tenist kurorëzohet me titullin në një turne të Grand Slam-it, pasi ka përmbysur në finale disavantazhin e dy seteve. Më herët një gjë të tillë e kanë siguruar vetëm katër tenistë, që të gjithë në Slam-in Parizien në Roland Garros, e bëhet fjalë për suedezin Bjorn Borg në vitin 1974, cekun Ivan Lendl në vitin 1984, amerikanin Andre Agassi në vitin 1999 si dhe argjentinasin Gaston Gaudio në vitin 2004. Ashtu si japonezja Naomi Osaka edhe Dominic Thiem përvec 2.000 pikëve në New York u shpërblye gjithashtu edhe me cekun e majmë prej plot 3 milionë dollarësh.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...