Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Tirana i jep fund makthit, “ngjyros” bardheblu derbin e solidaritetit

Nën një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga më shumë se 19 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin “Air Albania”, të denjë për ndeshje të mëdha europiane, derbi i kryeqytetit pati si fituese Tiranën, që u rikthye pas rreth 6 vitess, të triumfojë përballë Partrizanit.

Takimi nisi më mirë për Tiranën, që pa menjëherë drejt portës kundërshtare dhe që në minutën e tretë kërcënoi rrezikshëm, por Bitri ndali me faull Hoxhallarin, duke u ndëshkuar edhe me karton të verdhë.

Megjithatë goli i bardhebluve do të vinte shpejt, pasi në minutën e shtatë ishte një ish i Partizanit, Idriz Batha, që pas një krosimi të marrë nga krahu, nuk gaboi me kokë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha.

Reagimi i Partizanit ishte i menjëhershëm dhe vetëm tre minuta më vonë ishte Jurgen Bardhi që shënoi golin e barazimit, ndonëse mes dyshimeve për një pozicion jashtë loje të Romeros, gjatë aksionit që prodhoi edhe rastin e golit.

Deri në fundin e pjesës së parë pati një epërsi të lehtë të Tiranës, që ishte më e qartë në manovrat sulmuese, por rastin më të mirë të shënimit e pati Partizani, që gjithsesi nuk ia doli të thyejë për herë të dytë Ilion Likën, ndaj edhe 45 minutat u mbyllën në barazim 1-1.

Pjesa e dytë nisi sërish me Tiranën më të qartë dhe më kërkuese, ndërsa nuk mungoi as tensioni mes Ngoo dhe Trashit, me mbrojtësin e kuq që u mundua t’i largojë topin anglezit për të vonuar lojën, ndërsa të dy u shtynë dhe në fund u ndëshkuan me kartonë të verdhë.

Në minutën e 72-të ishte Cobbinah që i rrëmbeu një top Boldor dhe u nis drejt zonës së portës së Hoxhës, aty ku Muçi priste i vetëm, por sulmuesi ganez i bardhebluve vendosi të gjuajë vetë dhe topi i devijuar nga një mbrojtës, u ndal vetëm në shtyllën e portës së të kuqve.

Kampionët në fuqi u zgjuan vetëm në minutën e 82-të, kur zbritën rrezikshëm në krahun e djathtë dhe pas një kombinimi Çinari-Bitri, ky i fundit krosoi në zonë, aty ku Jurgen Bardhi bëri më të vështirën duke gjuajtur mbi portë një top nga një distancë vetëm dy metra larg vijës fatale.

Tirana vijoi të shohë drejt portës së kuqe dhe Michael Ngoo e Muçi kërcënuan dy herë radhazi Alban Hoxhën, por ky i fundit u tregua i gatshëm të zgjidhë situatat në favor të tij, duke u shfaqur vazhdimisht i sigurt.

Megjithatë goli i fitores për Tiranën do të vinte pikërisht në sekondat e para të shtesës prej 4 minutash të akorduara nga arbitrat e takimit, ku pas një kundërsulmi të shpejtë, Cobbinah shërbeu për Muçin, që gjuajti menjëherë nga distanca, por gjuajtja e tij u grushtua nga Hoxha, ndërsa topi i mbetur mbi vijën fatale u shty në rrjetë pikërisht nga sulmuesi ganez.

Festë e madhe në kampin bardheblu, ndërsa Cobbinah heq fanellën, duke marrë edhe kartonin e dytë të verdhë dhe lënë Tiranën me 10 futbollistë, pro natyrisht që askush nuk do ta gjykojë për atë gjest, pas një goli të tillë në derbi.

Partizani përpiqet të shmangë humbjen dhe provon me një goditje të fortë nga distanca të Lorenc Trashit, por topi kalon jashtë, ngjitur me shtyllën pingule të portës së Likës, ndërsa pak më vonë gabon edhe Bardhi me një gjuajtje nga distanca.

Vërshëllima finale bëri që të shpërthejë festa bardheblu në stadiumin “Air Albania”, me Tiranën që i dha fund makthit të derbit, pasi fitorja përballë Partizanit mungonte që prej vitit 2014 dhe pikërisht në të njëjtin vend ku triumfoi sonte, por atëherë në stadiumin që mbante emrin “Qemal Stafa”.

Kjo është humbja e dytë radhazi për Partizanin, që jo vetëm nuk shkëputet, por rrezikon të dorëzojë kreun nëse Bylis ose Kukësi do të marrin maksimumin nesër, ndërsa Tirana lë pas serinë e rezultateve negative dhe ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë, tre më pak se të kuqtë.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...