Abissnet Superiore

Tirana-Kukësi, bardheblutë duan “të vrasin” garën

Katër pikë në dy ndeshje, asnjë gol i pësuar dhe gjashtë pikë diferencë me ndjekësit më të afërt. Tirana e ka nisur mjaft mirë këtë vit të ri kalendarik, duke treguar dhe një herë ambiciet maksimale që ka këtë edicion, për të arritur titullin kampion. Kryesuesit e kampionatit do të kenë Kukësin përballë në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Skuadra e Orges Shehit ka pësuar vetëm 2 humbje këtë edicion, një prej të cilave ndaj verilindorëve, e natyrisht do të kërkojë që jo vetëm të hakmerret për atë disfatë të fazës së parë, por mbi të gjitha të thellojë diferencën me një prej rivalëve direkt për titull.

Numrat janë në favor të bardhebluve, që këtë edicion ka 11 fitore si askush tjetër, ka sulmin e dytë më të mirë, me një gol më pak se Kukësi, ndërsa ka mbrojtjen më hermetike me vetëm 11 gola të pësuar në 17 ndeshje të zhvilluara. Në ndeshjet e zhvilluara si pritës, bardheblutë nuk kanë pësuar asnjë humbje, duke marrë 20 pikë falë 6 fitoreve dhe dy barazimeve, ndaj me të drejtë bardheblutë duan që të tregojnë dhe në takimin direkt me Kukësin se janë ata forca e parë e kampionatit.

Trajneri Shehi ka deklaruar se është i kënaqur me grupin që ka, diçka që konfirmohet dhe nga fakti se në merkato është afruar vetëm braziliani De Silva. Tirana-Kukësi do të jetë pa dyshim sfida që nuk duhet humbur.

 

 

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency