Java e 16-të e Kategorisë Superiore luan këtë të hënë dy ndeshjet e fundit, Tirana-Laçi dhe Teuta-Partizani, të cilat do të luhen në orare të ndryshme: sfida e “Selman Stërmasit”, në 13:45, dhe ajo e “Niko Dovanës”, në 16:45.
Pas derbit të humbur 0-1 ndaj Partizanit, bardheblutë kërkojnë të ndryshojnë rrjedhën e kampionatit ndaj kurbinasve, të cilët kanë humbur shumë nga shkëlqimi i fillimsezonit, duke lënë shumë pikë rrugës me skuadra të ashtuquajtura të vogla. Barazimi i fundit me Skënderbeun në Laç, fill pas humbjes me Apoloninë në Fier, ia ka hequr shumë shejt stofin e pretendentes skuadrës së shpëtim Duros. Për bardheblutë opsioni i vetëm është fitorja, përtej mungesave që vazhdojnë të shqetësojnë stafin teknik. Batha, i ndëshkuar me karto të kuq në derbi s’mund të japë kontribut në këtë takim, megjithatë pritshmëritë janë të larta, edhe për faktin se dy sulmuesit kryesorë, Muçi e Seferi, kanë patur më shumë kohë për t’u përshtatur, për të qenë më efikasë para portës. Tirana-Laçi, në fakt, nëse i referohesh renditjes është si sfidë direkte, pasi ndahen nga vetëm një pikë renditje. Barazimi në këtë rast nuk do të ishte opsion, pas nuk do të ndryshonte asgjë në klasifikimin e përgjithshëm.
Temperaturat pritet të jenë të larta në “Niko Dovana”, ku Teuta e Partizani do të përplasin “brirët” në një duel pretendentësh, të nxitur edhe më shumë për të marrë fitoren nga Vllaznia, që la dy pikë në “Loro Boriçi” ndaj Kastriotit. “Djemtë e Detit” dhe të kuqtë janë me pikë të barabarta e kuptohet skuadra që do të mund të marrë tri pikët do të afrohej me shkodranët (diferenca do të bëhej 7 pikë). Teuta – Partizani pritet të dhurojë emocione dhe spektakël edhe për faktin se në të dy kampet ka shumë entuziazëm, pasi vijnë nga dy fitore radhazi. Trajneri i të kuqve, Ilir Daja, nuk do të ketë në dispozicion Bardhin, i ndëshkuar me karton të kuq në derbi, megjithatë nuk mungojnë alternativat në fazën sulmuese, ku përveç të rikthyerit Çinari, mund të japë kontribut edhe Stenio Junior.
