Finalja shekullore, Tirana-Teuta. Dy skuadrat, që këtë sezon festojnë 100-vjetorin, e mbyllin sezonin në “Air Albania” në kërkim të të Kupës së Shqipërisë. Një trofe i denjë për të kremtuar ashtu si duhet plot 100 vjet histori. Tirana, në fakt, e ka nisur festën me titullin kampion, por një triumf i dyfishtë do të ishte pa dyshim ideali për të vulosur dominimin. Akoma më shumë për Teutën që me Kupën mund të sigurojë vërtet një arritje të denjë për të festuar 100-vjetorin e klubit durrsak.
Të dyja skuadrat luajnë për të shkruar historinë. E kanë siguruar paraprakisht pjesëmarrjen në kompeticionet europiane, falë dy trajnerëve të angazhuar në sezon e sipër, Emanuel Egbo dhe Edi Martini, strategë të një sezoni të suksesshëm. Përtej pasurimit të palmaresit të trofeve, në lojë janë edhe 5 milionë lekë, çmim, në fakt, shumë i vjetruar me zhvillimin ekonomik dhe që sot nuk ka vlerën që ka pasur kur është vendosur.
Tri herë fituese e Kupës. Teutës Tirana i sjell fat, 2 nga 3 finalet e fituara i ka luajtur pikërisht përballë bardhebluve, ndërkohë që edhe e tashmja nuk është se entuziazmon më pak. Në vitin e fitimit të titullit kampion të Tiranës, ka qenë vërtet “kockë e fortë” ndaj bardhebluve, duke ndarë pikë të barabarta në 4 ndeshjet e zhvilluara në Superiore, dy barazime dhe nga një fitore për kokë. Mbetet për t’u parë se çfarë efekti do të ketë pasur festa e titullit në kampion e Egbo, ku në finish është vërejtur edhe ndonjë episod nervozizmi më shumë nga sa i takon një skuadre që triumfon kampionatin, ndërkohë që trajnerit i duhet të vlerësojë gjendjen e disa lojtarëve kryesorë përpara finales.
Teuta e Edi Martinit vjen e plotë dhe me besimin se në “Air Albania” mund të jenë ata që do të ngrenë trofeun, kjo është një finale e tëra për t’u luajtur dhe shijuar.
