Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Tom Brady fiton duelin me Drew Brees, Tampa Bay Buccaneers në finale

Tom Brady udhëhoqi ekipin e Tampa Bay Buccaneers drejt finales së National Football Conference dhe quarterback-u më i suksesshëm në historinë e futbollit amerikan mbi të gjitha fitoi duelin e veteranëve me rivalin Drew Brees, duke siguruar në këtë mënyrë edhe finalen e tij të 14-të në Conference Championship Game, një rekord që vështirë se do të thyhet ndonjëherë në historinë e këtij sporti. Në krahun tjetër, pas disfatës së dhimbshme në shtëpi pikërisht me franchise-n nga Florida dhe katër topave të humbur 42-vjeçari teksan ndoshta luajti ndeshjen e tij të fundit në karrierë dhe me shumë gjasa do t’i bashkohet quarterback-ëve të tjerë me emër si Ben Roethlisberger apo Philip Rivers duke varur kaskën në gozhdë.

Dy quarterback-ët me rendimentin më të lartë në historinë e këtij sporti, që kanë thyer prej kohësh edhe numrat apo statistikat e dy të mëdhenjve si Brett Favre apo Peyton Manning, që konsideroheshin të paarritshëm me nga respektivisht 508 dhe 539 pasime për touchdown, ishin përballur vetëm pesë herë gjithsej në karrierë përpara këtij sezoni. Drew Brees kryesonte 3-2 në sfidat ndërmjet tyre, megjithatë quarterback-i i famshëm i franchise-t nga Louisiana i shtoi vetes edhe dy fitore të tjera përgjatë sezonit të rregullt, meqë këto dy skuadra pozicionohen në të njëjtin grup, pikërisht në Divizionin e Jugut, në National Football Conference.

Fillimisht Brees triumfoi 34-23 në New Orleans, ndërsa më pas në takimin e kthimit në “regular season” më datën 9 nëntor në Tampa “shenjtorët” i asfaltuan “piratët” brenda në Florida me rezultatin e thellë 38-3. Pra Drew Brees kryesonte 5-2 bilancin e përgjithshëm dhe Saints kishin gjithashtu edhe favorin e faktorit fushë. Në Stadiumin Mercedes – Benz Superdome, përpara 3.750 spektatorëve skuadra e drejtuar nga trajneri Sean Payton e nisi mirë takimin dhe Saints mbyllën periodën hapës me epërsinë 6-0, falë konvertimit të saktë të dy field goal, nga ana e kicker-it të New Orleans-it Wil Lutz.

15’ i dytë ishte edhe më produktivi i ndeshjes, pasi në fraksionin e dytë të takimit u realizuan plot 20 pikë gjithsej. Buccaneers shënuan 10 pikë radhazi, me një field goal dhe një touchdown, në diçka më shumë se një minutë e gjysmë lojë, megjithatë vetëm katër minuta më vonë vendasit u kundërpërgjigjën me anë të wide receiver-it Tre’Quan Smith që kaloi vijën fundore të Tampa Bay-t, për t’u rikthyer në avantazh me rezultatin 13-10.

Në frymën e fundit të pjesës së parë Ryan Succop ekuilibroi shifrat dhe dy ekipet shkuan në interval me barazimin 13-13. Tre’Quan Smith realizoi touchdown-in e dytë të ndeshjes për Saints, megjithatë nën presion vendasit bënë gabime të pafalshme dhe shpërdoruan vërtet shumë, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe përmbysjen e madhe të skuadrës nga Florida.

Kështu Tampa Bay shënoi plot 17 pikë rresht, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 30-20. Fillimisht Buccaneers kaluan vijën fundore në fundin e periodës së tretë, me anë të numrit 28 Leonard Fournette dhe dy ekipet hynë në 15’ e fundit të mbërthyer në barazimin 20-20, sidoqoftë gjatë pjesës më të madhe të takimit spikati mbrojtja vërtet shumë e fortë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Bruce Arians.

Momenti përcaktues i ndeshjes ishte kur fituesi i 6 trofeve Vince Lombardi me New England Patriots theu vetë murin mbrojtës të “shenjtorëve” 5’ para fundit të takimit dhe në këtë mënyrë ekipi i Tampa Bay-t që kishte që nga viti 2007 që nuk merrte pjesë në fazën play off fitoi të drejtën për të matur forcat në Wisconsin, në finalen e madhe të NFC me Green Bay Packers, ekipin e quarterback-ut Aaaron Rodgers, takim që do të mbahet të dielën e ardhshme në stadiumin “Lambeau Field”.

Në fund Brady fitoi qartësisht duelin me quarterback-un teksan, madje Drew Brees u pa në fund të largohej duke përshëndetur me dorë, si për të konfirmuar edhe mbylljen e karrierës. Kulmin e karrierës 42-vjecari nga Dallasi e arriti në vitin 2010 kur me New Orleans Saints mposhti në Florida në Super Bowl 31-17 ekipin e Indianapolis Colts, që kishte në përbërje quarterback-un Peyton Manning.

Pas pesë sezoneve në radhët e San Diego Chargers Brees kaloi në vitin 2006 pikërisht te franchise nga Louisiana, për t’u shndërruar në quarterback-un e dytë më rezultativ në historinë e NFL, përsa i përket numrit të përgjithshëm të touchdoën-ve të shënuar me pasim. Brees për momentin ka 571 të tillë, ndërsa Tom Brady që në NFL ka luajtur një sezon më shumë se 42-vjeçari teksan krenohet me plot 581 pasime që kanë prodhuar touchdoën. 43-vjeçari kalifornian që numëron minimalisht nga dy pasime për touchdown në 9 ndeshjet e fundit e nis sfidën e të dielës së ardhshme si jo favorit, megjithatë për hir të së vërtetës në duelin e sezonit të rregullt Buccaneers e cmontuan Green Bay-n në Florida me rezultatin 38-10, për më tepër edhe finalja e madhe pra Super Boël-i 55 do të zhvillohet pikërisht në shtëpinë e Tampa Bay-t, në Raymond James Stadium.

Drew Brees në krahun tjetër vazhdon të mbajë rekordin e jardëve në total me pasim, si dhe pasimet e kompletuara në karrierën e tij 20-vjeçare në NFL dhe 42-vjeçari shumë shpejt pritet të përfshihet në Hall of Fame. Në sfidën tjetër në Divisional Playoffs kampionët në fuqi vuajtën në shtëpi për të thyer qëndresën e Cleveland Browns, ekipit surprizë që në ndeshjen e mëparshme mposhti 48-37 Pittsburgh Steelers, për të siguruar pjesëmarrjen e parë në post season që nga 1 janari i vitit 1995.

Në vitin 2017 franchise nga Ohio e mbylli sezonin e rregullt me 16 humbje në 16 sfidat në regular season, ndërsa një vit më herët Broëns fituan vetëm 1 nga 16 ndeshjet në dispozicion, e megjithatë ekipi nga Clevelandi ishte vërtet shumë pranë finales në American Football Conference. Në Missouri, në Arrowhead Stadium përpara 16.730 spektatorëve Kansas City Chiefs ia olën për të fituar sfidën me rezultatin 22-17, ndeshje ku kampionët në fuqi u shtrënguan për të luajtur kohën më të madhe të pjesës së dytë pa quarterback-un Patrick Mahomes, që mbeti i dëmtuar pas një përplasje të fortë me mbrojtësit kundërshtarë. Fundjavën e ardhshme skuadra e drejtuar nga trajneri Andy Reid do të presë në Missouri ekipin e Buffalo Bills, që fitoi Divizionin në Lindje në AFC për herë të parë pas plot çerek shekulli.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...