Pak ditë para zhvillimit të garës së Formula 1 në Malajzi, skuderia Toro Rosso ka surprizuar me vendimin për të përfshirë në garë 21 vjeçarin francez Pierre Gasly. Do të jetë pikërisht Daniil Kvyat ai që do t’i japë vendin të riut francez, ndërsa rusi do të vazhdojë të jetë pjesë e Toro Rosso, por jo më si pilot.
Kvyat, edhe këtë sezon ka zhvilluar sërish një paraqitje shumë të dobët, ku ka grumbuluar vetëm katër pikë, ndaj Toro Rosso ka vendosur t’i besojë një tjetër zgjedhjeje për të garuar për vendin e pestë me skuderitë Williams dhe Renault. Këtë vit Gasly ka qenë I angazhuar në kampionatin japonez të Super Formula, por ka qenë edhe piloti i tretë i skuderisë Red Bull.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur që mua të më jepet kjo mundësi. Ndjehem plotësisht gati dhe në formën më të mirë, ndaj bashkë me Toro Rosso do të bëjmë më të mirën në garat e mbetura”, deklaroi Gasly për mundësinë e re.
