Tottenham Hotspur i tregon dhëmbët Juventusit dhe paralajmëron rivalët në Angli se do të jetë një kockë në garën për titull në Premier Leauge. Në Wembley aty ku Spurs-at do të zhvillojnë ndeshjet e tyre si skuadër pritëse në sezonin e ri, Tottenhami mposhti 2-0 bardhezinjtë e Massimiliano Allegri duke konfirmuar momentin jo që po kalon Juventusi. Një ndeshje e dominuar nga skuadra e Pochettinos me Juven që u zgjua vetëm në fund ku goditi dy herë traversën.
Të dyja skuadrat zbritën në fushë me formacionet më të mira në mundshme por Higuain me shokë ishin të përgjumur dhe Harry Kane ndëshkoi kampionët e Italisë pas vetëm 10 minutash lojë. Harkim perfekt i Tripper për shtalartin anglez që me kokë nuk fali duke ndëshkuar Buffon-in. Kur ishte kaluar gjysmë ore loje, Sissoko ishte i pafat sepse shtylla i mohoi golin e dytë. Megjithatë Tottenhami arriti ta vendoste në kasafortë fitoren në minutën e 52-të, kur Delle Alli tregoi gjithë klasin e tij duke dhuruar spektakël mes mbrojtësve të Juventusit për ti servirur danezit Christian Eriksen, asistin e golit të dytë.
Në minutat e fundit, Juventusi goditi dy herë traversën fillimisht me të riun Kean i cili nuk përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Spurs-ave, por edhe me Mario Lemina predha të cilit u ndal nga trau më i lartë i portës. 2-0 për Tottenham-in në një ndeshje të cilën skuadra angleze e luajti më mirë ndërsa ekipi i Allegrit tregoi se ka ende mangësi të mëdha dhe duhet të punojë fort në stërvitje për të rregulluar gabimet.
