Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Tottenham-Everton (ora 17:30) apo përplasje strategësh Mourinho-Ancelotti

Për herë të 11-të në historinë e kampionatit anglez Tottenham Hotspur dhe Everton e nisin edicionin e ri pikërisht me një përballje ndërmjet tyre. Një sezon i ri, që pritet të jetë tepër i vështirë për të dy klubet, duke patur parasysh diferencat e mëdha që ka krijuar dyshja Liverpool – Manchester City në krye, por gjithashtu edhe kontigjentin e lojtarëve apo masat e shumta që kanë marrë drejtuesit e klubeve si Chelsea dhe United për të përforcuar skuadrat e tyre.

“Spurs” dhe “toffees” bëjnë pjesë te grupi i ekipeve që do të rivalizojnë për zonën europiane, ku gjithsesi pritet një betejë e ashpër gjithashtu edhe me skuadrat e tjera si Leicester City apo Wolverhampton Wanderers. Një duel i fortë ndërmjet dy skuadrave historike të këtij kompeticioni, gjithsesi “gjelat” e Londrës përveç avantazhit të faktorit fushë kanë gjithashtu edhe një të dhënë tjetër tepër interesante në favor, duke patur parasysh që me 27 fitoret në historinë e Premier League-s i konsiderojnë blutë nga qyteti i Liverpulit si gjahun e tyre të preferuar. Asnjë skuadër tjetër nuk kanë arritur të mundin më shumë në Premiership futbollistët e klubit londinez, pa harruar edhe faktin që Evertoni ia ka dalë mbanë për të fituar në kryeqytet në vetëm 3 nga 28 vizitat në historinë e këtij kompeticioni, madje edhe ato suksese janë regjistruar radhazi në vitet 2006, 2007 e 2008.

Drejtuesit e këtyre klubeve janë munduar të ndryshojnë diçka, por jo shumë. Diçka më tepër në këtë aspekt kanë lëvizur krerët e klubit nga Merseyside dhe Carlo Ancelotti ka afruar në gjirin e ekipit mbrojtësin Nkounkou nga Marseille, mesfushorin Allan nga Napoli, mesfushorin tjetër Abdoulaye Doucoure, si dhe kolumbianin James Rodriguez, që veterani italian e ka ndër lojtarët e tij të preferuar.

Në krahun tjetër dihet Daniel Levy konsiderohet si një ndër drejtuesit më dorështrënguar dhe, për hir të së vërtetës, përveç portierit veteran Joe Hart, trajneri Jose Mourinho ka forcuar skuadrën e tij me mesfushorin danez Pierre –Emile Hojbjerg, që erdhi nga Southampton-i si dhe mbrojtësin e djathtë Matt Doherty, një ndër mbrojtësit më rezultativë në Premier League, duke marrë në konsideratë faktin që në dy sezonet e fundit 29-vjeçari irlandez me “ujqërit” e Woverhampton-it ka kontribuar me 15 gola dhe 15 asiste.

Sezonin e kaluar trajneri luzitan e mori ekipin në gjendje jo të mirë, kur “gjelat” pozicionoheshin në vendin e 14, sidoqoftë pas peripecive të shumta dhe problemeve fizike pa fund, ku spikat natyrisht dëmtimi i rëndë që pësoi sulmuesi i vetëm i skuadrës Harry Kane, Tottenhami ia doli për të kapur zonën europiane. Pas rifillimit të kampionatit, pas ndërprerjes së kuptueshme për shkak të pandemisë së Koronavirusit, ekipi londinez pësoi vetëm një humbje në nëntë sfidat e fundit, duke kaluar në këtë mënyrë Wolves vetëm në sajë të golaverazhit.

Fitimi i trofeut në FA Cup nga ana e Arsenalit gjithsesi e ka vënë në pozitë tepër të vështirë trajnerin Jose Mourinho, që tani duhet të mendojë për të shpërndarë forcat dhe bërë zgjedhjet e duhura, duke patur parasysh që me gjithë sfidat në Europa League apo dhe Carabao Cup “spurs” mund të shtrëngohen për të luajtur deri 9 ndeshje në harkun e vetëm 22 ditëve, duke zbritur në fushë në njërin prej këtyre rasteve madje radhazi, në ditën e diel, të martën, të enjten si dhe të dielën që pason.

Trajneri emilian, në krahun tjetër, është një ndër më të mirët në qarkullim, por natyrisht Ancelotti ka mbetur tepër i zhgënjyer nga vendi i 12-të, ku e mbylli sezonin Evertoni kampionatin e kaluar. Te “spurs” do të mungojnë Japhet Tanganga dhe Giovani Lo Celso, ndërsa te blutë 61-vjeçari nuk ka në dispozicion Mason Holgate, Cenk Tosun, Fabian Delph si dhe mesfushorin Jean – Philippe Gbamin.

Tottenhami luan ndryshe në Londër dhe më mirë sesa “spurs” në shtëpi edicionin e shkuar bënë vetëm Liverpooli dhe Manchester City. Takimi do të luhet në orën 17:30, në “Tottenham Hostpur Stadium”, dhe do të drejtohet nga kryesori Martin Atkinson, gjithsesi pritet një ndeshje vërtet e fortë, duke patur parasysh që Evertoni e ka mbajtur në barazim skuadrën londineze në 2 nga 3 përballjet e fundit, si dhe faktin që të dy ekipet duan ta fillojnë edicionin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, pa harruar gjithashtu edhe duelin interesant në distancë Mourinho – Ancelotti.

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...