Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

“Tradhtar”, apo “i tradhtuar”? Osmani tregon pse zgjodhi Teutën (Video)

Jeta nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë për Tefik Osmanin. Fati është treguar i ashpër, madje edhe më shumë së duhet, por ai nuk e humbi asnjëherë sensin e humorit, dashurinë për jetën, familjen dhe atë sport që i mori shumë, por edhe i dhuroi gjithçka.

Zgjedhjet e vështira janë ato që vendosin të ardhmen e një njeriu dhe aty dallohet kurajë dhe karakteri i dikujt. Dy muaj nën presionin e një vendimi që mund te ndryshojë karrierën e tij, pse jo edhe të ardhmen e familjes së tij. Futbolli nuk është më thjesht një pasion, por një profesion i mirëfillte, një mënyrë për ta bërë sa më të sigurt rrugëtimin e jetës përtej këtij sporti dhe arsyet pse zgjodhi Teutën i di vetëm Tefik Osmani.

“Drejtuesit e Teutës, duke përfshirë presidentin dhe stafin teknik, kanë bërë të pamundurën për mua, duke më pritur deri tani. U kisha premtuar se nëse nuk do shkonin si duhet gjërat te Skënderbeu`, do vija te Teuta dhe ata më kanë pritur deri në këto momente. Në ambientin e Durrësit ndihem shumë mirë dhe tashmë do të jem edhe afër familjes, që jeton në Tiranë”, deklaroi Osmani.

Nuk u rikthye tek Skënderbeu, duke u cilësuar edhe tradhtar, një fjalë e cila ka veçuar gjithnjë personat mosmirënjohës, që e kanë gati thikën pas shpine, por Osmani nuk e konsideron veten të tillë, madje është ai që ndjehet i tradhtuar e i braktisur.

“Osmani nuk ka tradhtuar, por është tradhtuar dhe mendoj se kanë tentuar të më bëjnë edhe keq. Megjithatë t’ia lëmë kohës dhe të shohim se kush do dalë më i humbur nga kjo. Falënderoj Teutën, pasi isha në rrugë dhe ata hapën derën e më morën në shtëpinë e tyre. Për Skënderbeun kam dhënë dhe pranuar gjithçka. Pas përfundimit të sezonit, unë isha lojtar i lirë dhe kisha kushtet e mia për të vijuar. Kam pritur shumë dhe ishte momenti që të merrja një vendim, ndaj mendoj se kam dalë unë I tradhtuar. Kam folur gjithmonë në sy dhe për këtë e mbaj kokën lart”, tregoi Osmani.

Skënderbeu do të jetë gjithnjë shtëpia e tij aty ku është rritur profesionalisht dhe jo vetëm. 33-vjeçari nuk e ka fshehur dhe vijon të mos e fsheh dëshirën për ta mbyllur karrierën si “ujk i dëborës”, por kjo nuk varet nga ai.

“Nga Skënderbeu nuk largohem dot, pasi aty kam familjen, jam rritur dhe mbi të gjitha jam tifoz i atij ekipi. E kisha menduar që karrierën ta mbyll në ekipet që kam pasur më për zemër dhe Skënderbeu ka qenë skuadra ime, por jo gjithçka varej nga unë, pasi vendimi është i drejtuesve”, deklaroi mbrojtësi.

Tani do të nisë një kapitull i ri. Mbrojtësi me origjinalitetin që e karakterizon e cilëson Teutën një skuadër të lezetshme e cila mund të jetë surpriza e sezonit.

“Teuta ka pasur në përbërje lojtarë të talentuar, por edhe me eksperiencë. Mendoj se jemi një grup i mirë dhe një klub i lezetshëm, që në vazhdim mund ta quajmë edhe ekipi surprizë për këtë kampionat”, tha Osmani.

Blendi Shkëmbin do ta rigjejë në rolin e trajnerit, miqësia e tyre jashtë fushe është e njohur, por kjo e motivon Osmanin për të mos i lënë hapësira “gojëve të liga”, ndërsa nuk harron të falënderojë dhe një tjetër ish shok skuadre që tashmë është në rolin e trajnerit, Orges Shehin.

“Fakti që kam luajtur me Blendin, më obligon që të të jem gjithmonë i pari dhe të jap maksimumin, për të shmangur ato gojët e liga. Gesin dua ta falënderoj, pasi më ka kërkuar edhe në telefon, edhe publikisht, por ai e di mirë se çfarë ndodhi me mua”, tha mbrojtësi korçar.

Për t’u rikthyer tek Teuta, “Djemtë e Detit” nuk shijojnë një trofe që nga viti 2005 dhe pikërisht Kupa e Shqipërisë është një objektiv mjaft tërheqës, ndërsa në kampionat synohet një vend mes 4 pozicioneve të para.

“Mendoj se ekipi duhet të jetë në 3-4 vendet e para dhe Kupën e Shqipërisë e shikoj si një nga trofetë më të lehtë, pasi kampionatin është më i gjatë dhe duhen shumë lojtarë”, mbylli deklaratën e tij Tefik Osmani.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...