Një shqiptar do të rrisë talentet e Baselit në Zvicër. Arjan Peço, i emëruar së fundmi si trajner i skuadrës së 21-vjeçarëve të gjigandëve zviceranë, është gati të nisë aventurën në detyrën e re. Ish-lojtari i Dinamos e Partizanit, por edhe i Kombëtares shqiptare është i vetëdijshëm për rëndësinë e postit që mban. Detyra është eidentimi i yjeve të rinj, të cilët do të jenë e ardhmja e skuadrës që ka fituar më tepër tituj në Zvicër. Një sfidë e madhe, për të cilën Arjan Peço shprehet gati dhe zbulon ambiciet.
“Jam i kënaqur që klubi ma besoi detyrën. Ndihem krenar dhe do të përpiqem të shpërblej besimin e drejtuesve. Një pjesë të lojtarëve i njoh, sepse duke qenë pjesë e Akademisë, i kam drejtuar edhe më parë. E rëndësishme është ti promovojmë për ekipin e parë.”
Peço ka përfaqësuar Shqipërinë në fundin e viteve ’90 dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri, përkrah yjeve si Bogdani, Tare, Bushi apo Rraklli, duke veshur 13 herë fanellën kuqezi në arenën ndërkombëtare. Pasi i dha fund karrierës si futbollist, prej vitit 2011 ka punuar në Akademinë e Baselit, duke drejtuar tre ekipe të moshave. Besimi i dhënë lidhet me punën e shkëlqyer ndër vite te Baseli.
“Të rinjtë përbëjnë një avantazh për ekipin A të Baselit, sepse sa më lart të ngjitesh aq më të mëdha janë pritshmëritë. Pres me padurim të shoh si do të paraqitet skuadra ime në fushë. Krahasuar me skuadrat që kam drejtuar më parë në klub, ndryshimi është mjaft i madh”.
Edicionin e kaluar Arjan Peço u shpall kampion i Zvicrës me ekipin e 18-vjeçarëve të Baselit. Në sezonin e ri, përveç synimi primar në përgatitjen dhe evidentimin e lojtarëve, një objektiv është edhe titulli në kampionatin e 21-vjeçarëve.
