Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Trajneri i Anglisë, kundër shtimit të ekipeve në Kupën e 6 Kombeve

Trajneri i përfaqësueses së Anglisë në regbi, Eddie Jones, e mendon si të gabuar idenë për të shtuar numrin e skuadrave në Kupën e 6 Kombeve. 60-vjeçari nga Tasmania, që la drejtimin e Japonisë për t’u emëruar si trajner i “Red Rose”, beson se kompeticioni më i rëndësishëm i këtij sporti në Europë duhet të vazhdojë me po të njëjtën formulë, pa shtuar skuadra të tjera, për më tepër jashtë Kontinentit të Vjetër.

Po shtohen gjithmonë e më shumë zërat për një regjistrim të mundshëm të Afrikës së Jugut në këtë aktivitet, duke filluar që nga viti 2023, por shumë është spekuluar gjithashtu edhe shtrirjen e këtij kompeticioni me tetë ekipe. Trajneri australian, që u emërua në krye të përfaqësueses angleze në fund të vitit 2015, e konsideroi Kupën e 6 Kombeve si aktivitetin më të rëndësishëm në glob të këtij sporti. Trajneri veteran beson se një shtim i numrit të skuadrave pjesëmarrëse në 6 Nations do të ulte nivelin e kompetitivitetit.

Shumë është folur gjithashtu edhe për një përfshirje të mundshme të përfaqësueses së Fixhit, që mund t’i bashkangjitet skuadrave të tjera, duke i luajtur ndeshjet në territorin e Francës. Ndryshimi i fundit në strukturë nga Komiteti Organizator i këtij aktiviteti është regjistruar në vitin 2000 kur Nga 5 Nations kompeticioni u shndërrua në 6 Nations, për shkak të përfshirjes së kombëtares italiane.

Ky është kompeticioni më i vjetër në rruzull, në “rugby union”, i shtrirë madje në plot tre shekuj. Edicioni hapës i këtij aktiviteti është luajtur në vitin 1883, kur ky kompeticion quhej Home Nations Championship dhe në të merrnin pjesë Anglia, Uellsi, Irlanda dhe Skocia, ndërsa nga viti 1910 u ndryshua struktura dhe kësaj katërsheje iu shtua edhe kombëtarja e Francës, duke u quajtur Kupa e 5 Kombeve.

Që nga viti 2000 kur është përcaktuar edhe formati aktual vetëm Italia dhe Skocia kanë dështuar për të ngritur trofeun e 6 Nations, ndërsa dy ekipet më të suksesshëm konsiderohen Uellsi dhe Anglia, që e kanë fituar trofeun më të lakmuar respektivisht nga 39 e 38 herë. Eddie Jones tha se të gjithë duan të shikojnë skuadrat më të mira që të përballen me njëra-tjetrën dhe suksesi i Kupës së 6 Kombeve lidhet ngushtë pikërisht me historinë dhe marrëdhëniet e këtyre vendeve. Kështu rivaliteti tepër i ashpër i Skocisë me Anglinë lidhet në mënyrë të pashmangshme me historinë, prandaj edhe një duel i tillë ka një kuptim kaq të veçantë për njërëzit e këtyre vendeve, madje edhe në takimin e fundit në Edinburgh, në Stadiumin Murrayfield në kushte vërtet shumë të vështira për shkak të rreshjeve të vazhdueshme të shiut dhe erës së fortë dy ekipet nxorrën një ndeshje të madhe, ku miqtë triumfuan falë 10 pikëve të shënuara në 10′ e fundit të takimit, sepse për hir të së vërtetës dueli deri në 70′ ishte i mbërthyer në shifrat e barabarta 3-3.

Eddie Jones theksoi se ka shumë ndeshje në Kupën e 6 Kombeve që janë më të rivalizuara dhe akoma më të ashpra se edhe vetë sfidat e Kupës së Botës në këtë sport. Trajneri nga Tasmania shpjegoi vështirësitë e shumta dhe ngarkesën e madhe që paraqet zhvillimi i ndeshjeve të tilla pothuajse cdo javë, megjithatë 60-vjeçari rrëfeu se shumë trajnerë në hemisferën e jugut e admirojnë Kupën e 6 Kombeve.

Eddie Jones hoqi paralele edhe mes Trofeut 6 Nations dhe kompeticionit tjetër Super Rugby, ku marrin pjesë klubet më të fortë të Australisë, Zelandës së Re, Afrikës së Jugut, Japonisë dhe Argjentinës, pra plot pesë vende të Hemisferës së Jugut, gjithsesi ky aktivitet filloi me 12 ekipe, numri i skuadrave pjesëmarrëse më pas shkoi deri në 17, ndërsa aktualisht është reduktuar në 15 dhe trajneri veteran kujtoi se në fillim Super Rugby ishte një kompeticion i shkëlqyer kur luhej me vetëm 12 klube, por tani sipas tij ky aktivitet ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe nuk është më po aq tërheqës sa më parë.

Në edicionin e 21 të Kupës së 6 Kombeve pas dy javëve të para kryesojnë Franca dhe Irlanda me nga 9 pikë, ndërsa Uellsi dhe Anglia ndjekin nga pas në kuotën e 5 pikëve.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...