Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Trajneri i Serena Williams reklamon nismën për krijimin e Ultimate Tennis Showdown

Trajneri i veteranes amerikane Serena Williams, Patrick Mouratoglou, ka deklaruar se po mendon për organizimin e një lige të pavarur në këtë sport, në mënyrë që t’u krijojë mundësi tenistëve profesionistë për të filluar sërish aktivitetin e tyre. Trajneri franko–grek ka gjetur kështu një mënyrë për të përfshirë sportistët për të luajtur pa spektatorë, pikërisht në ambientet e Akademisë së tij të famshme në Bregun e Kaltër, më saktë në jug të Francës, në Qytetin e Nisës.

Siç dihet, të gjitha aktivitetet profesioniste të organizuara nga dy federatat kryesore të tenisit të meshkujve dhe femrave, ATP e WTA, janë pezulluar ose janë anuluar fare, për shkak të pandemisë së Koronavirusit dhe gjithçka për momentin në këtë sport është shtyrë deri në mesin e muajit korrik. Trajneri i “mbretëreshës” së tenisit të femrave e bëri të ditur planin e tij në fundjavë, duke shpallur madje edhe emrin e këtij aktiviteti, të cilin ai ka menduar ta quajë sfida përfundimtare e tenisit”, ose në mënyrë më të hollësishme UTS, pra “Ultimate Tennis showdown” nga gjuha angleze.

Ideja e 49-vjeçarit të lindur në Francë është që të transmetohen plot 10 ndeshje në mënyrë të drejtpërdrejtë në televizion, për çdo fundjavë, për një kompeticion që mund të shtrihet në kohë mes muajve, maj–qershor, një mënyrë e shkëlqyer kuptohet për të mbyllur boshllëkun e krijuar nga virusi COVID-19 anembanë globit, në këtë sport.

Ky aktivitet është planifikuar për të filluar më 16 maj, datë kur pritet të zbresë në fushë, për shembull, belgu David Goffin, që është sportist i dhjetëshes së parë të botës, tenist që natyrshëm me pjesëmarrjen e tij ndihmon për t’i dhënë emër dhe një rëndësi të veçantë këtij turneu, sidoqoftë përveç 29-vjeçarit nga Liezhi në këtë kompeticion pritet të luajë gjithashtu edhe shtatlarti australian, 20-vjeçari premtues Alexei Popyrin, që aktualisht pozicionohet në vendin e 103 në klasifikimin e përgjithshëm ATP, babai i të cilit me origjinë ruse është një ndër themeluesit e këtij aktiviteti.

Nga Koronavirusi janë prekur më së shumti turnetë e Grand Slam-it, për shkak të numrit të madh të sportistëve pjesëmarrës, shikueshmërisë si dhe spektatorëve të shumtë që preferojnë për të shkuar e për të ndjekur nga afër idhujt e tyre, për më tepër kompeticionet e kësaj kategorie përfaqësojnë gjithashtu edhe turnetë më të rëndësishëm të këtij sporti.

Siç dihet, Roland Garrosi është shtyrë, me Slemin parizien që është programuar për t’u zhvilluar në fillim të vjeshtës, menjëherë në radhë pas turneut “US Open”, megjithëse për hir të së vërtetës pas përshkallëzimit të situatës së Koronavirusit dhe numrit të lartë të viktimave në Shtetet e Bashkuara mendohet që të shtyhet në kohë gjithashtu edhe turneu i përvitshëm njujorkez në Flushing Meadows, ndërsa fat të ndryshëm pësoi turneu më i vjetër në planet i këtij sporti, turneu i Wimbledonit, sepse për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në All England Club këtë vit nuk do të ketë ndeshje.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...