Nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag, Manchester United duket se është rikthyer në shinat e duhura, me skuadrën që është shfaqur luftarake në fushë duke koleksionuar fitore të rëndësishme të cilat e lejojnë skuadrën të renditet në vendin e tretë. Afrimet e verës rezultuan të goditura me Lisandro Martinez, Varane, Anthony, Eriksen, Malacia e mbi të gjitha Casemiron që i dhuron ekipit balancat e duhura në fushë.
Tashmë, me një organikë të “fryrë”, teknikut holandez i “lind” detyra për të “skarcuar” disa prej futbollistëve aktualë. Në fakt, Ten Hag e ka gati listën me futbollistët që do të largojë teksa tre prej tyre janë zbuluar edhe nga ana e medias. Bëhet fjalë për lojtarë që kanë pak minuta në këmbë dhe që konsiderohen jashtë planeve teknike të Manchester United për këtë sezon dhe sezonin e ardhshëm.
Kështu, Martial, Telles por edhe Maguire janë me valixhe gati dhe presin vetëm fundin e sezonit për t’u përshëndetur me “Djajtë e Kuq”. Nëse për dy të parët një vendim i tillë ishte i pritshëm, për Maguire që mbajti edhe shiritin e kapitenit në skuadrën e United, pritej një trajtim ndryshe. Megjithatë, për vetë faktin se mbrojtësi nuk ia doli kurrë të fitonte zemrën e tifozerisë së “Djajve të Kuq”, duket i destinuar për t’u larguar.
