Me tre shqiptarë në fushë, dy prej të cilëve titullarë, Empoli triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Vincenzës dhe siguroi kalimin në fazën e 1/16-ave të Kupës së Italisë. Toskanët e ngjitur rishtazi në Serinë A, mbeten në pritje të startit të sezonit, por bënë detyrën edhe në Kupën e Italisë, duke mposhtur pa shumë vuajtje një kundërshtar modest në letër.
Ardian Ismajli dhe Nedim Bajrami ishin shqiptarët që trajneri Andreazzoli i hodhi në fushë nga minuta e parë dhe ishte pikërisht fantazisti ai që hapi serinë e golave në minutën e 11’, pas një asisti të zviceranit Haas.
Ky I fundit shënoi edhe vetë në minutën e 30’, ndërsa më pas ishte radha e Mancosu që të dërgonte topin në rrjetë për herë të tretë, para se Delmonte të ngushtonte diferencën e golave në të 39-ën.
Në fillim të pjesës së dytë Delmonte përfitoi nga një tjetër pasiguri e toskanëve dhe rihapi ndeshjen, ndërsa trajneri Andreazzoli hodhi në fushë edhe sulmuesin e sapo-afruar Patrick Cutrone, si dhe shqiptarin tjetër Kristjan Asllani.
Llogaritë e ndeshjes dhe të kualifikimit i mbylli Crociata dy minuta para fundit të lojës, pasi shënoi edhe golin e katërt për Empolin, që kalon kështu në turin tjetër të Kupës së Italisë, një kompeticion ky ekskluzivitet i Digitalb.