Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Tre të rinj marrin stemën e FIFA-s si arbitra të VAR: Ky është vetëm fillimi

Tre emra të rinj nga arbitrimi shqiptar pajisen me stemën e FIFA-s si Video Match Official (VAR). Ato janë Enea Jorgji, Juxhin Xhaja dhe Kreshnik Barjamaj, të cilët do të kenë mundësi të drejtojnë ndeshje ndërkombëtare nga salla e sistemit VAR. Kujtojmë që Jorgji dhe Xhaja janë të pajisur prej vitesh tashmë me stemën e FIFA-s si arbitra kryesorë, duke gjykuar edhe ndeshje të rëndësishme në Europë, ndërkohë që tani e tutje do të kenë mundësi të jenë pjesë e ekipit të sistemit VAR, po në ndeshje ndërkombëtare.

Pas marrjes së stemave të FIFA-s tre arbitrat shprehën për Fshf.org emocionet e tyre, teksa vlerësuan rrugëtimin pozitiv që kanë bërë edhe në arenën ndërkombëtare. “Të marrësh stemën e FIFA-s si arbitër i VAR-it është një emocion i madh, pasi është hera e parë që arbitrat shqiptar përfaqësohen në sistemin VAR duke qenë tashmë të pajisur edhe me stemën e FIFA-s.

Kjo është një arritje shumë e madhe për arbitrat shqiptarë, pasi neve do na jepet mundësia të gjykojmë në ndeshje ndërkombëtare me stemën e FIFA-s. Shpresoj që kjo arritje të mos jetë e fundit për arbitrat shqiptarë, por të jetë një shtysë për arbitrat e rinj që të përfaqësohen në arenën ndërkombëtare duke gjykuar ndeshje ndërkombëtare në Europë me stemën e FIFA-s”, tha arbitri Juxhin Xhaja në prononcimin e tij.

Ndërkohë, Enea Jorgji thekson se këto rezultatet janë konfirmim i punës së madhe që është bërë në vazhdimësi për kualifikimin e arbitrave. “Ky vit ka nisur me një risi siç është marrja e stemës së FIFA-s si arbitër i VAR-it, sepse vitet e tjera përfaqësoheshim vetëm si arbitra. Këtë vit do të kemi mundësi të përfaqësohemi në arenën ndërkombëtare edhe si arbitra në dhomën e VAR-it.

Sigurisht që nuk mund të them se ishte rastësi, pasi kemi vite që punojmë, duke nisur që me implementimin e sistemit VAR në Shqipëri dhe besoj që edhe UEFA e ka vlerësuar këtë fakt, duke na dhënë mundësinë tanimë që të përfaqësohemi me tre emra, pra unë bashkë më dy kolegët e mi, Juxhin Xhaja dhe Kreshnik Barjamaj.

Ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë që rrugëtimi të jetë i gjatë. Do të mundohemi që të japim më të mirën. Besoj që mundësitë i kemi, edhe kualitetin gjithashtu. Fakti që këtë vit pjesëmarrja në kupat e Europës si arbitra na njohu edhe me kolegët tanë jashtë Shqipërisë, duke i pasur si asistentë VAR-i na dha një eksperiencë, indicie e informacion se si funksionon atje.

Kështu që të gjithë këtë bazë që kemi marrë duhet ta përdorim edhe ne në të mirën tonë për të implementuar ato komponentë edhe ne për të dhënë më të mirën kur të na jepet mundësia të përfaqësohemi në dhomën e VAR-it në ndeshjet ndërkombëtare”, është shprehur Jorgji.

Në fund, edhe Kreshnik Barjamaj, i cili mori stemën e FIFA si arbitër i VAR-it, thotë se investimet e mëdha po japin rezultatet dhe nënvizon se ky është vetëm fillimi. “Marrja e stemës së FIFA-s për sistemin VAR nga arbitrat shqiptarë është një arritje shumë e madhe, jo vetëm e tyre, por edhe e investimit të madh që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit.

Dhe kjo jo thjeshtë në implementimin e sistemit VAR, por edhe me trajnimin dhe zhvillimit të arbitrave. Për mua personalisht është një emocion i veçantë, pasi është një konkretizim i një pune shumëvjeçare dhe sidomos dy vitet e fundit kemi pasur shumë zhvillime si në aspektin e trajnimeve dhe në ndeshje.

Shpresojmë që ky fillimi i ri i sistemit VAR dhe i marrjes së stemave të FIFA-s për arbitrat shqiptarë të jetë një rrugë e re edhe për të gjithë ato arbitra që ndoshta nuk i kanë aftësi totale për të qenë arbitra me stemën e FIFA-s në fushë, por kanë aftësi të tjera individuale për të suportuar arbitrat në fushë përmes teknologjisë.

Shpresojmë që ky fillim i ri të ndihmojë edhe arbitrimin shqiptar për të rekrutuar arbitra sa më të mirë dhe për të pasur një ecuri dhe një zhvillim sa më të madh”, deklaroi ndër të tjera Kreshnik Barjamaj.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...