Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Triumfi i Tsitsipas në Londër, sinjal paralajmërimi për Nadal-Djokovic dhe Federer

Triumfi i 21-vjeçarit grek Stefanos Tsitsipas në Londër mbylli përfundimisht sezonin e vitit 2019 në tenis dhe tani i vetmi kompeticion që mbetet është thjesht Kupa Davis, që do të zhvillohet gjatë kësaj jave në Spanjë, në kryeqytetin e vendit, pikërisht në Caja Magica, një Pallat Sporti multifunksional që përmes aktiviteteve të tjera pret gjithashtu edhe Mastersin e Madridit.

Turneu përmbyllës i 8 tenistëve më të mirë të sezonit përfaqëson vetëm trofeun e katërt ATP në karrierë dhe të pestin gjithsej, nëse do të llogaritet edhe turneu i Milanos, i fituar vitin e kaluar në të njëjtën kohë, kur tenisti nga Athina triumfoi në finalet e vitit 2018 për të rinjtë. Pra pak a shumë Tsitsipas përsëriti po të njëjtën rrugë që përshkoi edhe Alexander Zverev, që sezonin e kaluar triumfoi në O2 Arena, pasi kishte fituar dy herë radhazi të drejtën për t’u kualifikuar mes 8 sportistëve më të mirë të Next Generation ATP Finals.

Historia dihet, Sascha hoqi dorë nga turneu i të rinjve në Milano dhe preferoi të luajë në kryeqytetin britanik, ku tenisti gjerman mposhti me radhë emra si Roger Federer dhe Novak Djokovic respektivisht në gjysmëfinale dhe finale, për të siguruar trofeun më të rëndësishëm në karrierë. Në krahun tjetër Stefanos Tsitsipas ndonëse debutues tregoi një formë të shkëlqyer duke mundur me radhë rusin Daniil Medvedev, që konsiderohej si tenisti më në formë i muajve të fundit, gjermanin Alexander Zverev që ishte pikërisht kampioni në fuqi, rekordmenin e turneut përmbyllës të sezonit, 6 herë kampionin Roger Federer si dhe mikun e tij, austriakun Dominic Thiem në finale, për më tepër duke përmbysur disavantazhin e setit hapës.

Duke lënë mënjanë aftësitë e tij në fushën e lojës 21-vjecari helen u shfaq i përmbajtur dhe tepër i qetë, madje aspekti psikologjik influencoi jashtëzakonisht shumë në sfidat e ndryshme, me të cilat tenisti nga Athina u përball gjatë javës së shkuar. Kështu me 23-vjecarin moskovit Medvedev Stefanos Tsitsipas kishte një bilanc tepër negativ, 5 humbje në 5 përballjet ndërmjet tyre, megjithatë tenisti ballkanas e mposhti kundërshtarin e tij në vetëm dy sete, gjithsesi forma e shkëlqyer e sportistit helen u kuptua në takimin e tij të dytë në grupin Andre Agassi kur mundi kampionin në fuqi, duke humbur vetëm 5 game gjithsej.

Tenisti nga Greqia përfitoi në maksimum nga nervozizmi i Mberetit Federer në gjysmëfinale, duke anuluar 11 nga 12 mundësitë për break që kishte veterani zviceran. Vetëm një muaj më herët Roger e mundi shpejt e shpejt dhe pa asnjë vështirësi numrin 6 të botës në Bazel, ndërsa këtë radhë ndoënse e humbi herët avantazhin e një game me break në setin e dytë, Tsitsipas ruajti qetësinë dhe u kundërpërgjigj menjëherë duke treguar karakter dhe goxha personalitet, sidoqoftë vlen të kujtohet gjithashtu fakti që edhe në Melbourne Park në Slemin e parë të sezonit në Australian Open Stefanos i rezistoi furisë së 38-vjecarit helvet, duke i anuluar që të 12 mundësitë për break që kishte në dispozicion Federeri.

Me numrin 1 të botës Rafael Nadal Tsitsipas bëri sërish përshtypje, sepse pavarësisht se e kishte të garantuar kalimin mes katër më të mirëve tenisti helen përsëri luftoi deri në fund, duke qëndruar për plot tre orë në fushën qendrore, pa menduar aspak për duelin që kishte vetëm një ditë më vonë me Mbretin e këtij sporti. Në finalen e madhe përpara 20.000 spektatorëve tenisti ballkanas bëri për vete publikun me forcën dhe dëshirën e tij, madje edhe atëherë kur humbi setin hapës me tie break Stefanos reagoi shkëlqyeshëm, duke fituar 16 nga 18 pikët e para të setit pasardhës, për t’u shkëputur 4-0 dhe ekuilibruar më pas rezultatin, ndërsa në setin final në tie break ndonëse Dominic Thiem reagoi duke fshirë disavantazhin 1-4 përsëri Tsitsipas ruajti qetësinë për të marrë edhe tre pikët e fundit të ndeshjes. Për hir të së vërtetës ashtu si Roger Federer edhe tenisti vjenez dhuroi pa fund, deri në atë pikë sa e përfundoi finalen me plot 40 gabime, gjithsesi maturia e tenistit nga Greqia lë të kuptohet se shumë shpejt 21-vjecari mund të ngjitet në fronin e këtij sporti.

Natyrisht nuk është i vetmi, që mund të ngjitet shpejt për të përqafuar numrin 1 të botës në klasifikimin ATP, pasi të gatshëm tashmë janë Sascha Zverev, Dominic Thiem e Daniil Medvedev, kështu që treshja Djokovic-Nadal-Federer është e paralajmëruar dhe duhet të bëhet gati për të dorëzuar stafetën, për më tepër pas dere janë gjithashtu edhe tenistë të tjerë shumë të talentuar si, Denis Shapovalov, Felix Auger-Aliassime, Matteo Berrettini, Andrey Rublev, Karen Khachanov e Borna Coric, ndërsa kundërshtarë si Nick Kyrgios, Grigor Dimitrov apo dhe Kei Nishikori në ditën e tyre mund të maten si të barabartë me çdo tenist në planet.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...