Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Triumfi në Australian Open, Rafa Nadal më i suksesshmi i të gjitha kohërave

Triumfi në Australian Open e ngjiti menjëherë veteranin e famshëm spanjoll Rafael Nadal në majë, si tenistin absolutisht më të suksesshëm në historinë e këtij sporti, duke marrë parasysh natyrisht turnetë e rëndësishëm Slam. Suksesi i sivjetshëm i Rafës në Melbourne Park, për më tepër në moshën 35-vjeçare, përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme, si dhe një triumf madhështor që konfirmoi sërish më së miri edhe grintën e zakonshme apo dhe karakterin e veçantë luftarak, me të cilin sportisti fenomenal iberik na ka shoqëruar vazhdimisht përgjatë këtyre dy dekadave të fundit.

Kur bëhet fjalë për Nadalin asgjë nuk është e thjeshtë dhe Rafa përsëri ia doli mbanë sipas mënyrës së tij të përhershme, punës së palodhur dhe besimit të patundur, madje duke përmbysur çdo lloj parashikimi të mundshëm. Gjashtë muaj jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi të vjetër në këmbë dhe me dyshime të mëdha në lidhje me të ardhmen, sidomos pasi u infektua me virusin Covid-19 në prag të Krishtlindjes, pas pjesëmarrjes në Emiratet e Bashkuara Arabe, vetëm një muaj e gjysmë më herët, në edicionin përvitshëm të turneut përgatitor Mubadala World Tennis Championship, ku Nadali fillimisht u eliminua në fazën gjysmëfinale në vetëm dy sete nga tenisti britanik Andy Murray, ndërsa në sfidën për vendin e tretë dhe të katërt Rafa u mund në tie break-un e setit përcaktues gjithashtu edhe nga kanadezi Dennis Shapovalov.

Pa përgatitjen e nevojshme 35-vjeçari nga Majorka triumfoi në këtë skaj të globit fillimisht më datën 9 janar, në turneun 250 Melbourne Summer Set, ku mposhti në finale tenistin shtatlartë amerikan Maxime Cressy, ndërsa në turneun e parë Slam të vitit Rafa shkoi plot dyshime, që lidheshin natyrisht me problemet e zakonshme fizike. Veterani nga Manacori këtë herë vendosi që t’i hedhë hapat një e nga një, duke e vlerësuar situatën ndeshje pas ndeshje. Në këtë mënyrë Rafa mbërriti në javën e dytë të edicionit të 110 të Australian Open, duke humbur vetëm një set në takimin e tretë me rusin Khachanov, për të eliminuar me radhë njëri pas tjetrit emra si Marcos Giron, Yannick Hanfmann, Karen Khachanov dhe Adrian Mannarino.

Në një kohë kur të gjithë specialistët po bënin hamendësimet e tyre, duke parashikuar sportistë si Daniil Medvedev, Alexander Zverev, Stefanos Tsitsipas apo dhe Matteo Berrettini për të triumfuar në edicionin e 54 të Slam-it Australian, në tenisin modern, Nadali vijoi i qetë rrugëtimin e tij duke fituar besimin e nevojshëm për të bërë përpara. Në këtë mënyrë Rafa pati nevojë për plot katër orë lojë për të mundur në çerekfinale numrin 12 të botës Dennis Shapovalov, ndërsa në fazën gjysmëfinale veterani spanjoll kaloi në katër sete edhe numrin 6 të klasifikimit ATP, italianin Matteo Berrettini, për të siguruar kështu finalen e tij të gjashtë në karrierë në Australian Open.

Pa rivalin e tij të përjetshëm Novak Djokovic nëpër këmbë dhe me të ardhmen krejtësisht të paqartë Rafa sigurisht e vlerësoi një mundësi të tillë si unike. Titullin e vetëm në Melbourne Park Nadali e pati fituar në vitin 2009, në atë finale të paharrueshme në pesë sete ndaj të madhit Roger Federer, ndërsa më pas me radhë në vitet 2012, 2014, 2017 e 2019 tenisti i mirënjohur iberik ishte ndalur gjithmonë në pengesën e fundit, në finale me kundërshtarë si Stan Wawrinka, Roger Federer dhe Novak Djokovic, me Nolen madje në dy të tilla, ku spikat pa dyshim finalja epike e humbur në vitin 2012, me shifrat 7-5 në setin përcaktues, pas plot 5h 53′ lojë.

Në Rod Laver Arena përballë numrit 2 të botës Daniil Medvedev Rafa për cudinë e të gjithëve humbi edhe setin e dytë të takimit, ndonëse ishte një set që u interpretua më mirë për pjesën më të madhe të kohës se sa tenisti rus. Në disavantazh të dy seteve cdo njeri tjetër natyrisht do të ishte dorëzuar, madje pa kushte, por ky nuk është rasti i Rafës dhe Nadali tregoi për të kushedisatën herë se nga cfarë lloj brumi është formuar.

Titullin e parë tenisti i mirënjohur spanjoll e pati fituar në Roland Garros në vitin e largët 2005, sidoqoftë kurioz është fakti që Rafa kishte plot 14 vjet pa përmbysur disavantazhin e dy seteve në një turne të Grand Slam-it. Për më tepër veterani nga Majorka krenohej me thjeshtë tre përmbysje të tilla gjithsej në karrierë: Në vitin 2007 ishte regjistruar hera e fundit me rusin Mikhail Youzhny në Ëimbledon, ndërsa dy rastet e tjera ishin siguruar po në All England Club në vitin 2006 me tenistin nga Shtetet e Bashkuara Robert Kendrick si dhe në 2005, në finalen e madhe të Mutua Madrid Open me kroatin Ivan Ljubicic.

Me dy setet e parë të humbur, në disavantazhin 3-2 të setit të tretë dhe shifrat 0-40 në game-n e gjashtë Rafael Nadal përfitoi gjithashtu edhe nga mendjemadhësia dhe naiviteti i 26-vjeçarit moskovit për të prodhuar një ndër përmbysjet më të pabesueshme në historinë e këtij sporti. Medvedev që përveçse kishte humbur tre nga katër sfidat e mëparshme ndërmjet tyre kishte gjithashtu edhe pjesën më të madhe të publikut kundër. Për hir të së vërtetës tenisti rus shpërdoroi mundësi pa fund në këtë takim, gjithsesi në fund Rafa ia doli mbanë për të kthyer gjithçka duke fituar 7-5 në setin përmbyllës.

Një finale që zgjati plot 5h 24′ gjithsej, në fund të së cilës Medvedev grumbulloi 189 pikë kundrejt vetëm 182 që mori tenisti spanjoll në pikëzimin e përgjithshëm, sidoqoftë Rafa fitoi me meritë ndeshjen duke u bërë i pari tenist që prek kuotën e 21 titujve Slam, për të lënë tashmë prapa dyshen Roger Federer – Novak Djokovic. Në 20 edicionet e fundit të kësaj kategorie Nadal ka fituar 7 turne Slam, ndërsa Djokovic 8. Titulli i 90 në karrierë në total, për tenistin e famshëm spanjoll, që gjithsesi është shumë prapa dyshes Jimmy Connors – Roger Federer, e cila krenohet respektivisht me nga 109 dhe 103 turne të fituar.

Përveçse i hoqi tenistit rus mundësinë e ngjitjes në fron si numri 1 i botës, duke i bërë indirekt kështu një nder Noles, Nadali i shtoi vetes gjithashtu edhe çekun e majmë me plot 2 milionë dollarë. Ndërkohë në krahun tjetër kjo është finalja e dytë rresht që tenisti rus humbet në Australian Open, e njëkohësisht kjo është edhe disfata e tretë në katër finalet e zhvilluara nga Medvedev në kompeticionet Slam, ku natyrisht vlen të theksohet fakti që dy prej tyre sportisti moskovit i ka pësuar pikërisht nga veterani i famshëm spanjoll, duke pasur parasysh kuptohet pra finalen e vitit 2019 në US Open, të cilën Rafael Nadal e fitoi 6-4 në setin përcaktues, pas plot pesë orëve lojë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...