Manchester United triumfoi para disa ditëve në FA Cup me rezultatin 3-1 ndaj Reading. Mirëpo, suksesi vjen me pasoja për “Djajtë e Kuq” të cilët së fundmi nëpërmjet një komunikate bëjnë të ditur se Christian Eriksen është dëmtuar në kyçin e këmbës.
Dhe, bëhet fjalë për një dëmtim tejet serioz pasi ashtu siç njofton edhe klubi, danezi pritet të qëndrojë jashtë fushave të blerta të paktën deri në fundin e muajit prill, ose deri në fillimin e majit.
Një periudhë jashtëzakonisht e gjatë me Eriksen që do të duhet të humbasë ndeshjet dhe fazën me vendimtare të sezonit ndërsa ishte shndërruar gjithnjë e më shumë në një element të vyer për skemat e trajnerit Erik ten Hag.
Në këtë sezon me fanellën e “Djajve të Kuq”, Eriksen është aktivizuar në 19 ndeshje të Premier League duke shënuar edhe një gol, ndërsa rrugën e rrjetës e ka gjetur edhe në një rast në EFL Cup.
