Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

“Truri” i skuadrave të Klopp, largohet nga Liverpooli

Zeljko Buvac nuk do të jetë më asistent i Liverpulit në pjesën e mbetur të sezonit. Drejtuesit e klubit më të lavdishëm britanik për momentin kanë deklaruar se 56-vjeçari boshnjak është larguar për shkak të problemeve personale, megjithatë tabloidët vendas pretendojnë se marrëdhënia ndërmjet Buvac dhe trajnerit Jurgen Klopp është krisur në mënyrë të pariparueshme.

Miku më i ngushtë i trajnerit të “të kuqve” mendohet si arkitekti i “gegenpressing”-ut të famshëm që aplikon strategu gjerman, sidoqoftë prej kohësh dy miqtë qëndronin larg njëri-tjetrit, jo vetëm në fushën e stërvitjes, por gjithashtu edhe jashtë saj. Zëra të ndryshëm brenda klubit kanë bërë të ditur se Buvac prej kohësh ishte lënë jashtë zgjedhjeve taktike, gjë që në fakt është konfirmuar edhe gjatë ndeshjeve të fundit, ku ka munguar krejtësisht komunikimi ndërmjet tyre.

Miqësia ndërmjet Jurgen Klopp dhe Zeljko Buvac lindi çerek shekulli më parë, më saktë në vitin 1992, kur mesfushori boshnjak kaloi në radhët e Mainzit dhe u takua pikërisht me sulmuesin nga Shtutgarti, që më pas ndryshoi rol për t’u shndërruar në mbrojtës. Të dy e ruajtën miqësinë dhe i premtuan njëri-tjetrit se do të bashkoheshin sërish në role të ndryshme, në varësi të fatit.

E në fakt fati deshi që Klopp të bënte përpara më shpejt në rolin e trajnerit, prandaj ishte pikërisht Jurgen Klopp ai që i ofroi vendin e asistentit mikut të tij Buvac, kur në fillim të mijëvjeçarit mori në dorë timonin e Mainzit. Të dy punuan bashkë te ky ekip për 7 sezone në rolin e trajnerit dhe asistentit, duke e ngjitur Mainzcin në Bundesligë, por mbi të gjitha duke e kualifikuar këtë klub edhe në Kupën UEFA.

Dy miqtë u transferuan më pas te Borusia e Dortmundit, ku qëndruan edhe për 7 sezone të tjera, duke thyer hegjemoninë e Bajernit të Mynihut dhe fituar pothuajse gjithçka, pothuajse, pasi në “Wembley” ishte pikërisht klubi bavarez që i mundi “verdhezinjtë” me rezultatin 2-1. Kuptohet kur u transferua te klubi nga Merseyside tetorin e vitit 2015, Jurgen Klopp tërhoqi përsëri pranë vetes asistentin dhe mikun e tij të besuar, bashkë me asistentin tjetër Peter Krawietz.

Klopp e ka konsideruar gjithmonë mikun e tij Zeljko Buvac si trurin e stafit teknik, veten si zemrën e ekipit, ndërsa asistentin tjetër Peter Krawietz si syrin e skuadrës. Zeljko Buvac konsiderohet si personi që ka influencuar ndjeshëm në zgjedhjet e trajnerit Jurgen Klopp, për të përshpejtuar manovrën përpara të Borusias së Dortmundit, me sulme të shpejta.

Drejtuesit e Liverpulit kanë konfirmuar zyrtarisht se Buvac vazhdon të jetë punonjës i klubit nga Merseyside, gjithsesi edhe sikur të jetë vërtet diçka e përkohshme, përsëri largimi i krahut të djathtë të Klopp-it dhe njeriut më të besuar të 50-vjeçarit nga Shtutgarti pikërisht në prag të takimit të kthimit me Romën në Champions mbetet një goditje e rëndë për “the reds”.

Lajme të tjera

La Liga

Real Madrid është futur në garë për shërbimet e Bernardo Silvës. Manchester City ka përcaktuar një klauzolë prej 50 milionë paundësh mbi portugezin, megjithëse...

Serie A

Me Stefano Piolin që ka mbyllur tashmë eksperiencën e tij në pankinën e Milanit dhe pret vetëm fundin e sezonit për t’u larguar, kuqezinjtë...

Featured

Simone Inzaghi, trajneri i Inter-it që sapo fitoi titullin kampion të Italisë deklaroi për mediet pas triumfit 1-2 në derbin ndaj Milan-it se pasioni...

Kategoria Superiore

Asnjë person i interesuar nuk u shfaq në ankandin e parë për shitjen e 66% të aksioneve të klubit të Tiranës, që zotërohen nga...