Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Turqia “finale” për Shqipërinë, kuqezinjtë për maksimumin në Stamboll

Ja ku jemi, Turqia si një udhëkryq që vendos fatin e këtyre eliminatoreve. Është një kundërshtar që në të shkuarën e afërt ofron kujtime të ëmbla dhe të hidhura për Shqipërinë. Që nga ajo miqësore e Antalias, e fituar 2-3, që niste përgatitoret për këtë fushatë dhe karikonte entuziazëm në lidhje me idetë e Panuccit, e deri te humbja 0-2 në “Loro Borici”, që i vinte kapak aventurës zhgënjyese të italianit në stolin e Kombëtares, me koret e tifozëve kuqezi kundër tij.

Sot drejton Edy Reja, një tjetër trajner që ka bërë pa dyshim më mirë, dy fitore dhe dy humbje dhe pa deklarata bombastike për lojën sulmuese bëri që për herë të parë të shënonim 4 gola në një ndeshje zyrtare në takimin e fundit. Një sukses që karikon optimizëm, por që merr vlera në llogaritë e kësaj fushate vetëm me një fitore ndaj Turqisë.

Mision i vështirësisë maksimale, bëhet fjalë për një skuadër solide, që në 48-mijëvendëshin “Sukru Saracoglu” do të ketë me vete dhe nxehtësinë e tifozëve të zjarrtë vendas, por për Shqipërinë nuk ka rrugë tjetër.

Do të duhet ndeshja perfekte, e luajtur me nerva çeliku dhe tempizmin e duhur, kujdes për të mos pësuar, në kërkim të godijes në befasi të kundërshtarit. Për fat, Shqipërisë i vjen në formë sulmuesi që e njeh më mirë se kushdo këtë skuadër, Sokol Çikalleshi, prej 5 vitesh në kampionatin turk, përjeton ndoshta momentin më të mirë të karrierës, 3 gola në 3 ndeshjet e fundit me Kombëtaren, 4 gola në katër ndeshjet e fundit me ekipin e tij Akhisar.

Por Shqipëria nuk ka vetëm atë, thuajse të gjithë sulmuesit vijnë me gola nga kampionatet respektive dhe shumë lojtarë me minuta në këmbë, çka rrit vetëbesimin. Kjo është nga ato ndeshje që konsiderohen të ashpra, Shqipërisë i bën punë vetëm fitorja, do të duhet një mrekulli, por në futboll, edhe pse rrallë, ato ndodhin.

Formacioni i mundshëm i kuqezinjve:

Në orën 20:45, në Reykjavik, do të zhvillohet gjithashtu edhe takimi tjetër Islandë – Francë, ndeshje e vlefshme për Grupin H të këtyre eliminatoreve. Në këtë grup të gjithë ekipet kanë zhvilluar nga 6 takime, gjithsesi kampionët në fuqi të botës nuk pritet të kenë shumë probleme për t’u kualifikuar për në evropianin e ardhshëm. Pavarësisht humbjes së papritur, të pësuar katër muaj më herët në Konya me Turqinë “blutë” qëndrojnë në krye pikërisht në shoqërinë e ekipit të drejtuar nga Senol Gunes në kuotë të njëjtë pikësh 12, ndërsa vendi ishullor ndjek në vendin e tretë me 3 pikë më pak. Ekipi i drejtuar nga suedezi Erik Hamren paraqitet në këtë duel pas disfatës 4-2 në “Elbasan Arena” me Kombëtaren Kuqezi, kështuqë në këtë ndeshje Islanda duhet patjetër të shmangë humbjen.

Didier Deschamps nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë të rëndësishëm si Hugo Lloris dhe Kylian Mbappe, sidoqoftë ndeshjen më të fortë “gjelat” për hir të së vërtetës e luajnë të hënën e ardhshme, kur në stadiumin “Saint-Denis” vendasit do të mbyllin përfundimisht llogaritë e vendit të parë me Turqinë, ndërkaq po këtë ditë në krahun tjetër Islanda do të presë në kryeqytet një kundërshtar modest si Andorra.

Islanda nuk e ka mposhtur kurrë në histori Francën dhe në 14 ndeshjet që kanë zhvilluar ndërmjet tyre “ishullorët” krenohen thjesht me 4 barazime, ku sigurisht spikat barazimi 2-2, i regjistruar ekzaktësisht një vit më parë, kur në Guingamp “blutë” u kthyen për të rikuperuar disavantazhin e dy golave pikërisht në katër minutat e fundit të kohës së rregullt.

Ndeshjet e sotme:

Andorrë – Moldavi (20:45)

Çeki – Angli (20:45)

Islandë – Francë (20:45)

Mali i Zi – Bullgari (20:45)

Portugali – Luksemburg (20:45)

Turqi – Shqipëri (20:45)

Ukrainë – Lituani (20:45)

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...