Moshat Kuqezi

U-17/ Futbollistët e rinj rrëfejnë emocionet e para me Kombëtaren

Kombëtarja shqiptare U-17 ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin me lojtarët shqiptarë të datëlindjes 2006 që aktivizohen me klube jashtë vendit. 21 elementët e thirrur nga stafi i ekipit, me në krye trajnerin Ervin Bulku kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në ambientet e kompleksit “Olympic Park” në Durrës, duke u impenjuar maksimalisht për të treguar cilësitë e tyre, me dëshirën e ëndrrën për të qenë një ditë pjesë e Kombëtares A. Federata Shqiptare e Futbollit ka intervistuar dy prej lojtarëve të ftuar në këtë grumbullimi të veçantë, Anersi Vaka, i cili luan në Francë dhe Andri Frashëri, i cili luan në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Të dy futbollistët e vegjël nuk i fshehin emocionet teksa shprehen mjaft të lumtur për ftesën e parë që kanë marrë nga ekipi kombëtar.

Vaka, i cili aktivizohet në radhët e ekipit Possy A. S në Francë, ndihet i lumtur që më në fund është pjesë e Kombëtares, ndërsa shprehet se do të japë maksimumin për ekipin. Ai tregon për fshf.org edhe reagimet e para pasi i mbërriti ftesa për të përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa tregon edhe ëndrrat që ka për të ardhmen.

“Unë jam Anersi Vaka, luaj për Possy A.S në Francë. Është grumbullimi i parë me Kombëtaren dhe është një ndjesi shumë e mirë. E kemi pritur shumë mirë me familjen, duke festuar dhe mezi kam pritur të vij e të luaj për shtetin tim. I premtoj trajnerit dhe shokëve se do të jap vetëm maksimumin për ekipin dhe shpresoj të dalim sa më mirë dhe në të ardhmen shpresoj që të përfaqësoj kombin tim me Kombëtaren A. Unë jam sulmues dhe ëndrra ime është që të luaj në nivelet më të larta, në Champions League dhe të përfaqësoj atdheun tim te Kombëtarja e madhe”- shprehet Vaka.

Të njëjtat emocione ndihen edhe në intervistën me Andri Frashërin, futbollisti shqiptar, i cili luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që shprehet mjaft i lumtur për shansin që ka për të luajtur me Shqipërinë. Edhe Frashëri tregon për fshf.org se çfarë bëri pasi mori ftesën nga Kombëtarja, teksa shpreson që një ditë të luajë edhe me ekipin A. “Jam Andri Frashëri. E kam ëndërr të luaj për Kombëtaren shqiptare, sepse këtu kam lindur, ky është vendi im. Në Amerikë luaj për Cedar Star Academy dhe jam shumë i lumtur që luaj atje dhe shumë i lumtur që Shqipëria më dha këtë shans për të luajtur këtu. Kur e mora ftesën, babi nuk dinte gjë, mendonte se po bëja shaka. U gëzova shumë, i lashë të gjitha, e lashë palestrën dhe shkova e ia thashë babit, pasi ai ka sakrifikuar shumë për mua. Të luaj me Kombëtaren shqiptare dhe e dyta, të luaj me një ekip profesionist në Europë. Nuk ka rëndësi, veç të jetë një ekip i mirë që unë të përshtatem”, – thotë Frashëri.

Në ditën e fundit të grumbullimit, më 20 janar, duke nisur nga ora 11:00, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz është planifikuar të zhvillohet edhe një ndeshje mes lojtarëve të Kombëtares U-17 që aktivizohen dhe luajnë në Shqipëri dhe lojtarëve që janë pjesë e kampionateve të huaja.

Quiz: Premier League

Nëse jeni fans i futbollit anglez dhe ndiqni ndeshjet e tij, atëherë me siguri që do të dini edhe përgjigjet e quiz-it të mëposhtëm...


Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency