Trajneri Bulku, në një prononcim dhënë për Fshf.org theksoi se këto ndeshje miqësore, seleksionimet gjatë vitit, vëzhgimet e lojtarëve herë pas here me të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave, do të shërbejnë për të formuar grupin e plotë që do të përfaqësojë Shqipërinë U-17 në eliminatoret e vlefshme për Kampionatin Europian, ku Shqipëria është shortuar në të njëjtin grup me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare U-17, sulmuesi Emanuil Guci, i cili aktivizohet me ekipin e Internacionalit në vendin tonë dhe Endri Dama, mesfushori kuqezi, i cili luan në radhët e ekipit të Fiorentinës në Itali kanë folur për fshf.org, ku shprehen të lumtur për grumbullimin në Kombëtare.

Sulmuesi Guci thekson se grupi i 17-vjeçarëve ka cilësi shumë të mira dhe po stërvitet shumë në mënyrë që të arrijnë objektivat për ndeshjet ndaj Bosnjë & Hercegovinës “Ndihem shumë mirë. Me shokët jemi shumë të afruar dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit. Kam qenë shumë herë pjesë e Kombëtares dhe jam ndjekur nga trajnerët e ekipeve Kombëtare. Kam qenë thuajse çdo herë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares U-15. Shumë prej shokëve i kam pasur edhe në grumbullimet e mëparshme. Ky grup ka cilësi shumë të mira dhe mendoj se do shkojmë shumë larg. Kemi dy ndeshje miqësore me Bosnjë & Hercegovinën, do stërvitemi shumë fort për të arritur objektivat tonë dhe mendoj se do fitojmë, do dalim mirë. Objektivat e mia është që të bëhem lojtar me emër në futboll dhe do të stërvitem shumë fort që të arrij ëndrrat e mia”, – thotë talenti Guci.

Mesfushori kuqezi, që luan me Fiorentinën, Endri Dama, nuk i fsheh emocionet teksa flet për grumbullimin nga trajneri Ervin Bulku. “Jam shumë i lumtur që kam ardhur në Shqipëri për të luajtur me Kombëtaren. Shokët e skuadrës janë shumë të mirë, kam marrëdhënie shumë të mirë dhe jam i gëzuar që jam pjesë e këtij grumbullimi. Një pjesë të djemve të ekipit i njoh, pasi kam qenë edhe më parë pjesë e ekipit. E ndjek gjithmonë Kombëtaren shqiptare nga Italia dhe kënaqem shumë kur i shoh. Lojtari që më pëlqen më shumë është Sadiku, më pëlqen loja dhe stili i tij”, – shprehet Dama.