Kombetare

U-17, të gjithë në rresht para Mustedanagiç

Nën urdhrat e trajnerit Xhemal Mustedanagic, kombëtarja e 17-vjeçarëve nisi këtë të martë përgatitjet për t’i dhënë formë kontigjentit të kësaj skuadre për eliminatoret e Europianit të kësaj moshe që do të luhet në fundin e muajit tetor. Në kompleksin “Tropikal” lojtarët u panë tejet të impenjuar për të dhënë më të mirën e tyre në mënyrë që të fitojnë dhe një vend në grumbullimin zyrtar që do të bëjë më vonë trajneri i kuqezinjve. Pjesë e Mustedanagicit në këtë stërvitje të parë ishin 23 lojtarët e thirrur prej tij, mes të cilëve dhe një pjesë prej skuadrave të rëndësishme të moshave në Europë, si Troqe i Milanit, Smajlaj i Fiorentinës, Llapi i Valencias, Asllani i Empolit apo Dajku i Paokut. Ky është vetëm grumbullimi i parë për të kuptuar se kush do të jetë kontigjenti për eliminatoret zyrtare pasi në muaji prill, Shqipëria do të marrë pjesë dhe në turneun e San Marinos, ku do të ketë kundërshtare Italinë e Armeninë. Pikërisht në këtë kompeticion Mustedenagiç do të ketë mundësi të shohë në lojë emrat e përzgjedhur prej tij. Shqipëria e 17-vjeçarëve është shortuar në grup me Sllovakinë, Norvegjinë dhe Azerbajxhanin, ndërsa 1 muaj para ndeshjeve zyrtare, pra në shtator, kombëtarja e drejtuar nga Mustedanagiç do të luajë dhe disa ndeshje miqësore me kombëtare fqinje si Maqedonia, Mali I Zi apo Kosova.

 

To Top