Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

U dëmtua në Suedi, De Gea rrezikon pjesëmarrjen në kryendeshjen e javës

David de Gea është në dyshim për derbin e famshëm të Anglisë mes Manchester United dhe Liverpoolit, që është edhe ekipi që kryeson aktualisht në Premier League. Të martën në mbrëmje, në kryeqytetin e Suedisë në stadiumin “Friends Arena” të Solnës, gardiani i “djajve të kuq” la fushën pas një ore lojë, duke u zëvendësuar nga portieri më i shtrenjtë në rruzull, Kepa Arrizabalaga.

10 minuta pas golit të pësuar nga sulmuesi i Krasnodarit Marcus Berg, 28-vjeçari madrilen la vendin mes shtyllave dhe u shtrëngua për të dalë i shoqëruar nga fizioterapistët e përfaqësueses spanjolle. De Gea ndjeu një shqetësim në pjesën e prapme të këmbës që në pjesën e parë të ndeshjes, në një rivënie fundore dhe në interval Robert Moreno e këshilloi për të mos rrezikuar, megjithatë shtatlarti kryeqytetas i dha garanci në pushimin mes pjesëve trajnerit të “La Roja”-s se ishte në gjendje për të vazhduar normalisht takimin.

Në fillimin e 45-minutëshit të dytë me sa duket u përsërit i njëjti problem, kur De Gea goditi një top të kthyer nga njëri prej futbollistëve të tjerë iberikë, moment pas të cilit portieri i Spanjës u pa të ulej në zonën e vogël të 5-metërshit. David de Gea është shpallur për disa sezone rresht si lojtari më i mirë i “red devils” dhe mungesa e tij në derbin e Anglisë do të ishte vërtet një humbje e madhe për ekipin e drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer.

Në mesin e muajit të kaluar portieri spanjoll rinovoi kontratën deri në 2023-in me drejtuesit e klubit, me një opsion madje për të shtyrë qëndrimin e tij edhe me një tjetër vit, sidoqoftë 28-vjeçari është i domosdoshëm për rekordmenët e Premiershipit, për më tepër siç dihet me trajnerin nordik në timon ekipi po vuan jashtëzakonisht shumë për të marrë rezultat.

Për fatin e mirë të kombëtares spanjolle barazoi shifrat në 1-1 sulmuesi brazilian i Valencias Rodrigo, që devijoi nga shumë pranë portës pikërisht në kohën shtesë të takimit, dhe për rrjedhojë “furia e kuqe” u bë përfaqësuesja e gjashtë që siguron pjesëmarrjen për në fazën finale të kampionatit të ardhshëm evropian, gjithsesi situata e portierit të United është krejtësisht e paqartë dhe fjalët e trajnerit Robert Moreno në fund të ndeshjes nuk lënë shumë shpresa për “djajtë e kuq”.

Manchester United dhe Liverpool-i janë dy klubet më të suksesshëm në historinë e kampionatit anglez. “Red devils” paraqiten në “Teatrin e Ëndrrave” me vetëm 2 fitore në 8 ndeshjet e para, ndërsa formacioni i gjermanit Jurgen Klopp në krahun tjetër kërkon fitoren e 18 radhazi në kampionat, rezultat që do të barazonte rekordin e vendosur nga City i Guardiolës, por gjithashtu edhe rekordin e Chelsea-t të Mourinho-s, që në fillimin e sezonit 2005-06 e nisi kampionatin me plot 9 fitore rresht.

Dy ekipet kanë një rivalitet historik ndërmjet tyre, prandaj pavarësisht ecurisë së tmerrshme që ka skuadra në fillimin e këtij sezoni ditën e diel në orën 17:30 vendasit do të bëjnë çmos dhe do të përpiqen për të frenuar vrullin e formacionit nga Merseyside, që kërkon titullin e parë në ishull pas plot tre dekadave.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...