Connect with us

Hi, what are you looking for?

Conference League

“UEFA dhe FSHF, punë madhore për finalen e UECL në Tiranë. Promovim për futbollin e Shqipërinë”

Tashmë gjithçka është gati për finalen e madhe të UEFA Conference League, AS Roma-Feynoord, që do të luhet mbrëmjen e 25 majit në stadiumin “Air Albania” të Tiranës në një ngjarje historike dhe të përmasave të mëdha, e para që zhvillohet në vendin tonë. Për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, puna përgatitore që është bërë për pritjen e kësaj ndeshjeje historike ka qenë shumë e madhe dhe UEFA ka bashkëpunuar ngushtë me FSHF-në si partner zyrtar për organizimin e kësaj finaleje. Në një intervistë të dhënë për RTV Ora, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka folur për mënyrën se si erdhëm deri në këtë ditë të shënuar, si po shkojnë përgatitjet, çështjet e sigurisë dhe sa e rëndësishme është kjo ngjarje për promovimin e imazhit të Shqipërisë në të gjithë botën.

– Një finale e rëndësishme vjen në Tiranë. Sytë e gjithë tifozerisë së Europës janë kthyer në Tiranë. Mijëra tifozë të Romës dhe Feynoord kanë mbërritur tashmë. Si u mundësua që të kemi një finale kaq të rëndësishme në kryeqytet?

– Jemi para faktit, vetëm pak orë para ndeshjes dhe ajo që është bërë për të ardhur deri këtu padyshim ka qenë një rrugëtim i gjatë. Ka qenë një objekt i hershëm i yni që në projektin e ndërtimit të stadiumit, që kur filloi ai projekt menduam që organizimi i një finaleje në Tiranë do të ishte qershia mbi tortë për Shqipërinë dhe filluam të mendojmë për të.

Kemi aplikuar për një finale të Superkupës së Evropës në atë kohë në Tiranë, por duke qenë se stadiumi ishte thjesht projekt në letër dhe ne e dinim se ishte pothuajse e pamundur për ta marrë në atë kohë. Gjithsesi, strategjikisht ishte mirë, kemi aplikuar dhe një herë të dytë dhe pastaj dukej si detyrim që ne që se kishim marrë dy herë duhet ta merrnim në aplikimin e tretë. Në një lloj mënyrë ishte fat se kaluam nga Superkupa në finalen e UEFA Conference League. Është një kompeticion shumë më i rëndësishëm, shumë më i gjatë. Zgjat një vit nga fillimi për të ardhur në Tiranë ndërsa Superkupa është thjesht një ndeshje më shumë honorifike. Ka më shumë mbështetës, më shumë atmosferë dhe më shumë interes nga e gjithë bota e futbollit dhe më gjerë.

Rrugëtimi ka qenë i gjatë, është bërë një punë e madhe organizative nga ne si partner zyrtar i UEFA-s, nga vetë UEFA që është udhëheqësi, nga të gjithë institucionet shqiptare, qeveria e Shqipërisë. Të gjithë janë të impenjuar që të dalë sa më mirë, që çdo njeri që të vijë në Shqipëri, çdo njeri që ta përcjellë përmes ekraneve, mikrofonave, portaleve apo gazetave ta shohë dhe pse jo të krijojë një opinion akoma më të mirë për Shqipërinë dhe pse jo të jetë një promovim jo vetëm për futbollin shqiptar, por për Shqipërinë në përgjithësi dhe turizmin shqiptar.

– Ju thatë është punë ndërinstitucionale, por FSHF dhe UEFA kanë peshën kryesore. Mos ndoshta politika ka ndërhyrë pak më shumë, si e shihni qasjen e politikës në këtë event?

– Organizatori i këtij eventi është UEFA, ai që vendos se ku do të zhvillohet një finale është Komiteti i Ekzekutiv i UEFA-s. Partneri zyrtar i UEFA-s në çdo vend janë Federatat respektive. UEFA është një shoqatë në të cilën jemi 55 anëtarë dhe 1/55 që është Shqipëria nuk është pak në një organizatë të tillë. Por asgjë nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e të gjithë institucioneve të tjera sepse pavarësisht se organizatori dhe përgjegjësia kryesore është e UEFA-s dhe Federatës, përfituesit janë shumë më shumë. Përfiton i gjithë vendi, përfiton ekonomia e vendit një benefit direkt që llogaritet 140 milionë euro përgjatë gjithë këtij aktiviteti, përfiton imazhi i ekonomisë së vendit, përfitojnë të gjithë. Kështu që duhen ndarë benefitet nga përgjegjësitë organizative. Përgjegjësitë organizative janë të UEFA-s dhe tonat.

– Zoti Duka ju pamë krah zotit Veliaj, e kemi përcjellë në televizionin “Ora” një situatë të tensionuar që ka qenë midis jush. Bashkëpunim institucional apo ka diçka më tepër?

– Në fakt nuk ka pasur asnjëherë një situatë të tensionuar mes nesh, thuhet rëndom kështu mes nesh, por ka qenë një sulm i kryetarit të Bashkisë karshi meje. Nuk ka pasur asnjë përgjigje nga unë. Qëndrimi im ka qenë, është dhe do të jetë: Unë duhet të merrem me punët e mia, do të merrem me organizimin e sportit dhe me baltë nuk merrem. Kur ka kritika, jo vetëm nga kryetari i Bashkisë, por kritika konstruktive që kanë bazë, i mbaj shënim nga çdo aktor i botës së futbollit apo atyre që konsumojnë futboll. Kur ka baltë apo qëllime të tjera politike nuk më intereson të harxhoj kohën me to.

– Të mbetemi te ndeshja. Tek-tuk gazetarët në Holandë apo Romë kanë folur për probleme sigurie që mund të ketë Tirana.

– Ka skepticizëm, ka pasur skepticizëm që në emërimin, vendimmarrjen që finalja e Conference League të jetë në Tiranë, që në konferencën e parë për shtyp që ka bërë presidenti i UEFA-s. I është thënë pse në Tiranë, kur ka vende të tjera si Gjermania, Franca, etj. Por futbolli nuk është vetëm i Gjermanisë, Francës apo vetëm i holandezëve. Futbolli është i të gjithëve. Dhe ne jemi pjesë e këtij futbolli, dhe ne kemi kontributin tonë. Përderisa ne plotësojmë kriteret e vendosura, pse jo një aktivitet i tillë të jetë dhe në Tiranë. Skepticizëm se ne nuk dimë ta bëjmë, do t’ia japim përgjigjen pas ndeshjes që ky do të jetë një aktivitet perfekt, mbase më i mirë se gjithë të tjerat.

– A keni projekte për stadiume të tjera? “Air Albania” e thithi një kompeticion.

– Stadiume me kapacitet më të madh se ky në Shqipëri për një periudhë relativisht të gjatë është vështirë që të ndërtohen, por përmirësimi apo ndërtimi i impianteve me kapacitete aq sa janë popullsitë respektive nëpër qytete, pa diskutim që projektet do të vazhdojnë. Ne sot kemi katër stadiume në të cilat mund të zhvillojmë aktivitete ndërkombëtare që janë “Kukës Arena”, “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” dhe “Air Albania”. Me këto katër stadiume mund të bëjmë aktivitete europiane, dhe do tentojmë t’i bëjmë, si kampionate europiane për fëmijë, për të rinj, nën 17 apo 19 vjeç. Nuk kanë peshën e kësaj finaleje, por gjithsesi janë evente të rëndësishme se në fund janë kompeticione europiane dhe të sjellin benefite pothuajse të njëjtit tip, por jo të njëjtit nivel si ky i finales së Conference League.

– Cilët janë disa personalitete që vijnë në Shqipëri?

– Janë shumë, drejtuesit politikë të gjithë Federatave europiane pothuajse, Presidenti i UEFA-s, Ceferin, zv.presidentët e UEFA-s, Presidenti i Federatës Italiane, i Federatës Holandeze dhe i federatave të tjera. Janë dhe shumë personalitete të botës së futbollit të luajtur që janë akoma më të njohur për sportdashësit apo opinionin publik shqiptar. Duke filluar që nga Zibi Bonjek, Dejan Saviçeviç, Luis Figo, Zvonimir Boban, ish-futbollisti i Barcelonës, Maxwell, etj. Do jetë dhe ikona e futbollit të Romës, Francesco Totti bashkë me Vincent Candela e Gigi Di Biagio. Ka padyshim edhe shumë emra të tjerë të njohur që do të jenë në Tiranë.

– Biletat që shiten në tregun e zi, a mund të parandalohet?

– Nuk besoj të ketë diçka të organizuar më mirë sesa shpërndarja e biletave nga UEFA, qoftë për këtë kompeticion apo kompeticione të tjera. Merren të gjitha masat që të ketë sa më pak abuzime. Biletat janë elektronike, nuk lejohet të kalojnë apo transferohen më shumë se dy herë sepse bllokohen. Por gjithsesi abuzuesit apo përfituesit në çdo rast janë një hap para dhe gjejnë mënyrë, por nuk është fenomen masiv. Përsa kohë një njeri e ka biletën në dorë nuk do shkosh t’ia marrësh nga dora për t’ia dhënë një tjetri. Por nuk cenon asgjë në këtë event.

– Siguria në stadium, ka pasur raste që thyhen karrige, është çështje e FSHF apo policisë? Si ndahet?

– Përgatitjet sidomos për aspektin e sigurisë ka mbi tre muaj që kanë filluar me ekspertët më të mirë të UEFA-s për çështjet e sigurisë në stadiume, të cilët kanë trajnuar me specialistë ndërkombëtarë apo kanë bashkëpunuar me policinë shqiptare, kanë trajnuar shumë stjuartë, janë mbi 400 vullnetarë që do të punojnë. Janë marrë të gjitha masat që çdo gjë të jetë perfekt. Një huligan ndodh që edhe e thyen një karrige, ndodh që fut një flakadan në stadium. Por besoj se do jetë shumë e vështirë që të ndodhë, çdo gjë është menduar që të mos ndodhin ngjarje që të cenojnë bukurinë eventit, komoditetin e shumicës. Shumica vjen në stadium për të parë një spektakël, për t’u kënaqur dhe jo për të parë dhunë, luftë apo incidente.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...