Për trajnerin e Mlada Boleslav Dusan Uhrin, Skënderbeu është një ekip më i fortë se skuadra që ai drejton. Fitorja 2-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Ceki favorizon, Mladën por në konferencën për shtyp nga stadiumi Elbasan Arena ku do të zhvillohet ndeshja e kthimit e turit e tretë kualifikues të Europa League, trajneri i skuadrës ceke u trembet jo pak korcarëve.
” Skënderbeu ka më shumë përvojë se ne në kompeticionet europiane, pasi përpara dy sezonesh ka marrë pjesë në grupet e Europa League dhe ky është një fakt që nuk duhet nënvlerësuar. Kemi marrë një rezultat të mirë në ndeshjen e parë pavarsisht se kemi pësuar gol pasi fitorja mbetet fitore, por kualifikimi do të vendoset në duelin e kthimit dhe ne na pret një mision shumë i vështirë, pasi Skënderbeu këtë herë do të ketë në krahun e tij, tifozët e shumtë që do të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit”.
Një sezon më parë ishte një tjetër skuadër shqiptare që eliminoi Mladën nga turi i tretë kualifikues i Europa League, pikërisht Shkëndija e Tetovës, me rezultat të përgjithshëm 2-1, këtë vit historia mund të përsëritet edhe pse trajneri Dusan Uhrin beson te cilësitë e skuadrës së tij.
” Sezonin e kaluar kur Shkëndija eliminonte Mladën nuk kam qenë unë trajner. Futbolli shqiptar është rritur shumë në këtë vitet e fundit por unë besoj se ne i kemi të gjitha mundësitë për të avancuar në fazën tjetër”.
Për trajnerin 49-vjecar kualifikimi në play-offin e Europa League do të ishte një sukses i madh për Mladën edhe në aspektin financiar, pasi cekët janë klub me vetëm 3 milionë Euro buxhet, ndërkohë që nuk duhet harruar kurrësesi fakti që në ruandin e 2-të, Skënderbeu eliminoi Kairat Almaty-in, një klub me një buxhet më shumë se 5-herë më të madh se Mlada Boleslav. Në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Dusan Uhrin ishte i pranishëm edhe sulmuesi anësor Tomas Prikryl, i cili theksoi se di vështirësinë që paraqet Skënderbeu si skuadër, por në të njëjtën kohë ai u shpreh se ka besim, te forca e skuadrës së tij, duke nënvizuar se Mlada do të bëjë gjithcka për të arritur kualifikimin.
