Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

US Open, sa shumë mungesa “të rënda” në Slamin amerikan!

Për herë të parë në pothuajse çerek shekulli, një turne i Grand Slamit nuk do të ketë në start asnjë nga emrat e mëdhenj si Roger Federer, Rafael Nadal apo qoftë edhe motrat Williams, pra Venus dhe Serena Williams. Në Shtetet e Bashkuara filloi kompeticioni i shumëpritur i US Open, që mbyll edhe sezonin për sa u përket turneve të rëndësishëm.

Aktiviteti i sivjetshëm, në Amerikën e Veriut, pritet me një interes të veçantë, pasi Novak Djokovic synon të bëhet sportisti i dytë në tenisin modern, që plotëson kurorën e Grand Slamit, diçka që nuk regjistrohet që nga viti i largët 1969, kur australiani Rod Laver kompletoi Grand Slamin Kalendarik, duke koleksionuar me radhë katër trofetë më të lakmuar në Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open. Numri 1 i botës ka shënjestruar kështu objektivin e radhës, për të marrë titullin e 21 Slam, duke kaluar në këtë mënyrë edhe dyshen e famshme Roger Federer – Rafael Nadal, që vazhdon të jetë në kuotë të njëjtë me të, me 20 turne të mëdhenj të fituar në karrierë. Edicioni i sivjetshëm në Neë York do të jetë i 141 dhe Nole është i shtrënguar për të bërë mirë, përndryshe tenisti ballkanas do të rrezikojë edhe fronin në renditjen botërore të këtij sporti.

34-vjeçari nga Serbia kryeson klasifikimin e përgjithshëm ATP me vetëm 1.133 pikë më tepër se sa tenisti rus Danil Medvedev, që në turneun e mirënjohur njujorkez krenohet si finalist i turneut të zhvilluar në vitin 2019, kur për hir të së vërtetës në Arthur Ashe Stadium, përpara afërsisht 24.000 spektatorëve Rafa ia doli për të thyer sportistin moskovit 6-4 në setin e pestë, pas një finaleje tepër emocionuese që zgjati plot 4h 50’.

Edicioni i 141 i Slam-it Njujorkez do të zhvillohet si zakonisht në Kompleksin e Qendrës Tenistike Kombëtare të Shteteve të Bashkuara Billie Jean King, që pozicionohet në Flushing Meadows – Corona Park në Queens. Pra për herë të parë në këtë shekull të ri në shortin kryesor të një turneu të madh nuk do të kemi dyshen Federer – Nadal apo dhe motrat Williams, gjë që për herë të fundit ka ndodhur në vitin 1997, më saktë në Slam-in Australian në Melbourne Park.

Kampionët në fuqi janë Dominic Thiem dhe Naomi Osaka, sidoqoftë tenisti austriak i cili këtë fundjavë do të festojë 28-vjetorin vazhdon të ketë probleme fizike. Edicionin e kaluar tenisti nga Wiener Neustadt rekuperoi disavantazhin e dy seteve në finale, si dhe ia doli për të përmbysur rezultatin 5-3 në setin përcaktues, për të mposhtur pas katër orëve lojë 8-6 në tie break-un e setit të pestë tenistin gjerman Alexander Zverev.

Domi ka rrëshqitur në vendin e gjashtë në renditjen botërore dhe ka mbyllur para kohe sezonin për shkak të një dëmtimi në kycin e dorës. Tenistja japoneze Naomi Osaka ka triumfuar në dy nga tri edicionet e fundit në Flushing Meadows dhe numri 3 në klasifikimin e përgjithshëm WTA konsiderohet si tenistja e dytë favorite pas numrit 1 të botës, australianes Ashleigh Barty, që për hir të së vërtetës nuk ia ka dalë kurrë për të shkuar më larg se turi i katërt në këtë aktivitet.

25-vjeçarja nga Queensland-i është pozicionuar në pjesën e sipërme të shortit, ndërsa 23-vjeçarja nipone që krenohet me plot 4 tituj Slam është shortuar në anën e poshtme bashkë me numrin 2 të botës dhe moshataren e saj, bjellorusen Aryna Sabalenka, ndërkohë përveç veteranes Serena Williams, që muajin e ardhshëm do të mbushë 40 vjeç dhe që në US Open krenohet me plot 6 trofe, në Flushing Meadows, sivjet, te femrat, do të mungojë gjithashtu edhe numri 6 në rruzull, 22-vjeçarja amerikane me origjinë ruse Sofia Kenin.

Edicioni i 141-të në US Open do të zhvillohet si zakonisht në harkun e dy javëve në qytetin më të populluar të Shteteve të Bashkuara. Gjithçka do të luhet në sipërfaqe të shpejtë në 17 fusha gjithsej, ku natyrisht përfshihen edhe tre fushat kryesore, pra Stadiumet Arthur Ashe e Louis Armstrong si dhe Grandstand.

Te meshkujt, natyrisht, favorit absolut konsiderohet Novak Djokovic, ndërsa pas tij mundësi të mira kanë gjithashtu edhe tenistët e tjerë Daniil Medvedev, Alexander Zverev apo Stefanos Tsitsipas. Edicioni i sivjetshëm do të kushtëzohet gjithsesi nga mungesat e mëdha. Vitin e shkuar kishte shumë më tepër mungesa pasi tenistë të ndryshëm preferuan për të mos kaluar fare Oqeanin, për arsye të frikës së infektimit nga pandemia e Koronavirusit. Federer dhe Nadal pra do të mungojnë për të dytin vit rresht në Slamin Amerikan, por bashkë me dyshen e famshme që ka fituar 9 tituj gjithsej në US Open, 5 Roger dhe 4 Rafa, nuk do të jenë të pranishëm në këtë edicion as emra të tillë si Borna Coric, Milos Raonic apo Stan Wawrinka.

Nole është tenisti që ka fituar 8 nga 12 turnetë e fundit Slam, ndërsa në US Open Novak Djokovic ka triumfuar tre herë në vitet 2011, 2015 e 2018, pa harruar gjithashtu edhe plot pesë finale të humbura. Edicionin e kaluar tenisti ballkanas konsiderohej sërish favorit, por Djokovic u përjashtua nga drejtuesit e turneut, pasi gjatë ndeshjes me spanjollin Pablo Carreno Busta ai goditi me top në mënyrë të pavullnetshme një nga gjyqtaret e vijave. Një gjest i përsëritur që i kushtoi shtrenjtë tenistit serb, që humbi kështu një mundësi të shkëlqyer për t’i shtuar vetes një tjetër turne Slam.

Djokovic i cili gjatë vitit 2021 ka triumfuar në Melbourne Park, Roland Rarros si dhe Wimbledon duhet të ruhet në pjesën e sipërme nga kundërshtarë si Hurkacz, Berrettini, Zverev, Sinner, Carreno Busta apo dhe Shapovalov, ndërsa në pjesën e poshtme Medvedev ka një short më të lehtë, por gjithsesi 24-vjeçari moskovit duhet të bëjë më mirë se sa tenistë të tillë si Rublev, Auger – Aliassime, Tsitsipas, Isner apo dhe Dimitrov. Të gjithë fansat e tenisit do të kenë rastin për t’i shijuar ndeshjet në Digitab – Supersport, në dy kanalet e Eurosportit.

Ndryshe nga vjet, kur ky kompeticion u organizua me dyer të mbyllura, këtë herë Federata e Tenisit në Shtetet e Bashkuara lejon zhvillimin e ndeshjeve në Neë York me praninë e spektatorëve, por gjithë të pranishmit duhet të jenë të vaksinuar ose të jenë të pajisur me një dokument që konfirmon një test të fundit negativ, përsa i përket analizave në lidhje me Virusin Covid – 19.                                          

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...