Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Vëllezërit Hernandez/ Të braktisur nga i ati, por ndjekin rrugën e tij për t’u bërë ndër mbrojtësit më të mirë

Kur Atletico Madrid informoi Py Laurence se ata ishin të gatshëm të ftonin të dy djemtë e saj Theo dhe Lucas Hernandez për t’u bashkuar me akademinë e tyre, ajo ishte e sigurt se nuk kishte asnjë mënyrë që të shpëtonte nga futbolli.

Sporti më popullor në botë luajti një rol kyç në jetën e saj që nga dita kur u takua me ish-lojtarin profesionist Jean-François Hernandez. Francezi, me origjinë spanjolle, i hodhi hapat e tij të parë futbollistik në Toulouse, përpara se të kalonte në Sochaux dhe më pas në Marseille.

Ishte atje, në pjesën jugore të Francës, ku gruaja e tij lindi dy fëmijët e tyre. Fillimisht erdhi Lucas, dhe 15 muaj më vonë pasoi Theo. Jean-François luftoi për të gjetur një vend në formacionin fillestar të Marseilles, ndërsa më pas vendosi të transferohej në Spanjë. Py Laurence pranoi të ndiqte bashkëshortin e saj në aventurën e tij në vendin fqinj, ku qendërmbrojtësi luajti në Atletico Madrid dhe Rayo Vallecano.

Pasi vari këpucët në gozhdë, duke luajtur për herë të fundit me Vallecanon, Jean-François braktisi familjen e tij dhe nuk u përpoq të kishte më kontakt me ta. Ai la gruan e tij, të cilës iu desh të rriste e vetme Theo dhe Lucas, por Py Laurence pati ndihmën e gjyshërve të tyre.

Gjeni i futbollit ishte tashmë në gjakun e dy djemve, që të dy ishin të sigurt se donin të bëheshin profesionistë. Pavarësisht “deja vu”-së së kuptueshme, nëna e tyre nuk i pengoi djemtë të ndiqnin ëndrrat e tyre, që në këtë rast ishte futbolli.

Pas një sezoni në Rayo Majadahonda, Atletico kërkoi Theon. Ata e ftuan të riun për një seancë dhe nëna e tij mori edhe Lucas me vete, pasi nuk kishte mundësi të paguante një dado.

“Los Rojiblancos” nuk ishin të impresionuar vetëm nga Theo, por edhe nga Lucas, i cili i la pa fjalë në stërvitje. Gjashtë vjet pasi Jean-François u largua nga Atletico, të dy djemtë e tij nënshkruan për klubin. Megjithatë, ai nuk ishte aty për të ndarë emocionet e tyre.

“Ne kurrë nuk e kuptuam pse u largua, kështu që ne u rritëm me nënën tonë,”-tha Lucas në një intervistë për DAZN në 2019. “Ajo jetoi, punoi dhe na dha gjithçka. Nuk e di ku është [babai im], çfarë po bën, nëse është ende gjallë apo jo.”-shtoi ai.

Lucas hyri në ekipin e parë në vitin 2016, ndërsa, me Filipe Luis një titullar të padiskutueshëm në krahun e majtë, Atletico vendosi të huazonte Theo te Alaves. Atje ai realizoi katër asistime dhe dy gola në 38 ndeshje, duke bërë përshtypje me paraqitjet e tij gjatë sezonit 2016-2017, pasi Alaves arriti në finalen e Kupës së Mbretit.

Ndërkohë, Lucas do të arrinte të luante në një kompeticion prestigjoz, atë të Champions League, me Atleticon në 2016-ën, kur ata u mundën nga rivalët e qytetit, Real Madrid më penallti.

Edhe pse Lucas-it iu premtua se do të fitonte rëndësi dhe një rol kyç në ekip në sezonin e ardhshëm, Diego Simeone e përdori atë në vetëm 15 ndeshje në La Liga. Kur Theo u kthye nga huazimi i suksesshëm te Alaves dhe pa se vëllai i tij nuk po trajtohej në mënyrën e duhur, ai vendosi të largohej. Ai kishte tërhequr tashmë interesin e disa skuadrave evropiane, por vendosi t’i bashkohej Real Madridit, klub për të cilin bënte tifo që i vogël.

Në nëntor 2017, Atletico do të përballej me “Los Blancos” në atë që mund të ishte hera e parë që dy vëllezërit u përballën me njëri-tjetrin në një ndeshje profesionale. Lucas filloi në krahun e majtë, por Theo nuk doli kurrë nga pankina dhe për të shkelur të dy në fushë në të njëjtën ndeshje, u desh të pritej shumë kohë.

Theo luajti 23 ndeshje atë sezon, por nuk i bëri përshtypje Zinedine Zidane, i cili vendosi ta huazonte atë te Real Sociedad. Magjia e tij në skuadrën baske ishte bindëse, megjithatë, Theo u kthye te “Los Blancos” me një vendim në pritje për të ardhmen e tij.

Ndërkohë, karriera e Lucas po merrte një kthesë tjetër. Simeone e kishte kthyer atë në një mbrojtës të gjithanshëm që mund të luante, po aq mirë në krahun e majtë ose në qendër të mbrojtjes. Në mes të sezonit 2017-2018, Lucas ndau publikisht dëshirën e tij për të luajtur për kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës në Rusi.

“Spanja më ka dhënë gjithçka dhe nëse [Julen Lopetegui] më thërret unë do të shkoj”,-tha ai para kamerave televizive. “Nëse mund të marr shtetësinë, do të isha i kënaqur. Unë e konsideroj veten spanjoll. Unë flas më mirë spanjisht se frëngjisht. Me këtë thashë gjithçka.”-shtoi lojtari.

Lucas nuk luajti kurrë për Spanjën, por u kurorëzua kampion bote atë verë me Francën. Fakti që ai kishte luajtur për skuadrën e Francës U-19 në Kampionatin Evropian 2015, pa pasur nënshtetësi të dyfishtë nënkuptonte që, sipas rregulloreve të FIFA-s, ai nuk kishte të drejtë për të luajtur me Spanjën.

Situata u ndërlikua dhe autoritetet spanjolle ndaluan procesin e dhënies së nënshtetësisë, kur ai u dënua me punë në komunitet me akuzën e dhunës në familje ndaj të dashurës së tij, Amelia Lorente, pas një sherri që ndodhi në makinë.

Pas debutimit me Francën në një miqësore kundër Kolumbisë në mars 2018, trajneri Didier Deschamps i premtoi atij një rol kyç në Kupën e Botës. Lucas luajti në të gjitha ndeshjet e Francës për të ngritur trofeun në Rusi. Kjo bëri që disa klube të mëdha evropiane të “trokisnin në derën” e Atletico-s, i cili me u tregoi atyre tarifën e lirimit prej 80 milionë eurosh.

Bayern Munich nuk hezitoi asnjë moment dhe nënshkroi me të në verën e vitit 2019.

Ndërkohë, Real Madrid arriti një marrëveshje me AC Milan për Theon në këmbim të 20 milionë eurove. Edhe pse karriera e tij dukej se po shkonte drejt greminës menjëherë pasi u transferua nga “Los Blancos”, në Itali ai ka gjetur “Tokën e Premtuar”. Theo shënoi shtatë gola dhe asistoi pesë të tjerë në 37 ndeshje, duke qenë golashënuesi i katërt më i mirë i Milanit në Serie A. Paraqitjet e tij mbresëlënëse ishin një mesazh i drejtpërdrejtë për Deschamps përpara Kampionatit Evropian 2020, i cili që atëherë është shtyrë deri në verën e 2021.

Ishte gjithashtu një memorandum për Lucas. Një dëshirë e qartë që të dy lojtarët të mund të paraqiten më në fund për të njëjtën skuadër në të njëjtën fushë, diçka që nuk arritën ta bënin me Atleticon. “Do të ishte e mrekullueshme [të luanim së bashku për Francën]”,- tha Lucas në një intervistë për Codigo Unico. “Shpresojmë një ditë. Është e ndërlikuar, por nuk ka asgjë të pamundur në jetë”.

Në fakt ftesa për Theon nga “gjelat”, erdhi gushtin e vitit të kaluar, por ëndrra e vëllezërve Hernandez për të luajtur së bashku, u bë realitet tetorin e 2021-shit, kur të dy morën ftesë për fazën finale të Nations League dhe luajtën si titullarë në krahun e majtë, njëri në mbrojtje e tjetri në mesfushë…

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...