Sebastian Vettel nuk e tradhëton Ferrarin. 4 herë kamioni i botës ka firmosur kontratën e re me skuadrën nga Maranello ku do të qëndrojë deri në vitin 2020. Lajin e bën të ditur skuadra italiane nëpërmjet një komunikate zyrtare, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me pilotin gjerman që këtë sezon kryeson klasifikimin e përgjithshëm dhe është kandidati kryesor për të fituar titullin që në shtëpinë Ferrari mungon që prej një dekade. Vettel do të garojë përkrah finlandezit Kimi Raikkonen edhe gjatë sezonit të ardhshëm pasi “Ice Man” firmosi pak ditë më parë edhe për vitin 2018. Gjermani është bashkuar me Ferrarin në vitin 2015 por gjatë dy sezoneve të para hasi vështirësi të mëdha për shkak të pamundësisë së kokëkuqes për t’i bërë ballë fuqisë së Mercedes GP. Pas suksesit të fundit në Hungaroring, Vettel konsolidoi pozitat në krye të klasifikimit të këtij sezoni me 14 pikë më shumë se ndjekësi Lewis Hamilton.
