Formula 1

Vettel më i shpejti në testet e Barcelonës, Hamilton i 8-ti

Sebastian Vettel ishte piloti më i shpejtë i ditës së tretë të testeve të Barcelonës në Formula 1, ditë kur përvec sinjaleve pozitive për Ferrarin 4 herë kampioni i botës regjistroi gjithashtu edhe kohën absolutisht më të shpejtë në gjithë historinë e Cirkuitit të Katalunjës. 30-vjeëari gjerman kompletoi 188 xhiro me goma shumë të buta, duke e ndalur kronometrin në 1’17″182.

Një kohë e shkëlqyer që u regjistrua pikërisht në ditën e parafundit të testeve të Barcelonës, teste që shërbejnë edhe si provat e përgjithshme të fazës përgatitore, në prag të fillimit të sezonit që starton në Melbourne, në javën e fundit të këtij muaji, me Çmimin e Madh të Australisë. 30-vjeçari nga Heppenheim-i ishte fillimisht gjysmë sekonde më i shpejtë se çdo pilot tjetër dhe skuadra e kuqe filloi të tregojë me të vërtetë shenjat e qarta të përmirësimit, gjithsesi në vazhdim Sebastian Vettel vijoi të përmirësohej, deri në atë pikë sa për ta mbyllur ditën me një avantazh prej 1.2″ kundrejt ndjekësit më të afërt.

Si për ironi edhe piloti i vendit të dytë kishte gjithashtu motor Ferrari dhe bëhet fjalë për 25-vjecarin danez Kevin Magnussen, që garon për ekipin nga Shtetet e Bashkuara Haas. Ish-piloti i ekipit McLaren regjistroi kohën 1’18″360 me gomat supersoft, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua piloti i ri francez i skuadrës italiane Toro Rosso-Honda, Pierre Gasly. 22-vjeçari nga Normandia që provoi në pistën e Montmelos me goma hypersoft e humbi vendin e dytë për vetëm 0,003″, gjithsesi në mënyrë të kuptueshme si Magnussen ashtu edhe Gasly ishin surprizat e mëdha të ditës së parafundit të këtyre testeve.

Ai që zhgënjeu ishte kampioni në fuqi i botës Lewis Hamilton. Piloti britanik me Mercedesin e tij nuk shkoi më larg se sa vendi i tetë, por sidoqoftë bën përshtypje diferenca e madhe prej 2″ me Sebastian Vettel, rivalin e tij kryesor përsa i përket edicionit të kaluar, megjithëse më së shumti drejtuesit e skuadrës gjermane insisituan në besueshmërinë e makinës në “long run”, për të kuptuar gjithashtu edhe shpejtësinë e motorit Mercedes me serbatorin plot.

Në vendin e katërt dhe të pestë me vetëm 0,050″ diferencë u renditën respektivisht dy pilotët e Renault, Nico Hulkenberg dhe Carlos Sainz, që provuan makinat e tyre me goma shumë të buta, ndërkaq shenja progresi tregoi ekipi McLaren, që për herë të parë në testet e dimrit bëri bashkë më shumë se 100 xhiro. Belgu Stoffel Vandoorne qëndroi në pistë për plot 151 xhiro, duke u klasifikuar në vendin e gjashtë me vetëm një të dhjetën e sekondës diferencë me Carlos Sainz, ndërsa menjëherë prapa tij u pozicionua suedezi Marcus Ericsson me Sauber – Ferrari.

Me radhë më pas u renditën Valtteri Bottas, Robert Kubica, Sergio Perez, Max Verstappen dhe Lance Stroll, gjithsesi pavarësisht kohës shumë të shpejtë të regjistruar nga Sebastian Vettel përshtypja e përgjithshme është që ekipi Mercedes mbetet përsëri ekipi për t’u mundur, me dy skuadrat e tjera Ferrari dhe Red Bull që paraqiten si rivalet kryesore në luftën për titull.

To Top