Reali i Madridit detyrohet t’i lërë kreun e La Ligas Barcelonës. Skuadra “merengues” dështoi të merrte pikë në derbin e Madridit kundër Atleticos në “Metropolitano”, me ekipin e Simeones që triumfoi me rezultatin 3-1. Dygolëshi i Alvaro Moratës dhe finalizimi i Griezmann e bënë të pavlefshëm rrjetën e Toni Kroos.
Reali me këtë disfatë mbetet në kuotën e 16 pikëve, një më pak se Barcelona dhe Girona.
Atletico – Real 3-1
Shënues: Morata 4′, 46′, Griezmann 18’/ Kroos 35′
4′ – Mjaftojnë tri minuta lojë që të zhbllokohet derbi i Madridit. Samuel Lino jep një krosim perfekt nga e majta dhe topin gjen Alvaro Moratan, që nuk fal nga një distancë e afërt, 1-0 në “Wanda Metropolitano”.
18′ – Reali i Madridit në vështirësi serioze. Në minutën e 18-të, Atoine Griezmann realizon një gol shumë të bukur me kokë thuajse nga pika e penalltisë, me Kepan që nuk mund të bëjë asgjë. Tashmë skuadrës “merengues” I duhet një mrekulli për të shmangur humbjen në “Wanda Metropolitano”, 2-0.
35′ – Zgjohet më në fund Reali i Madridit. Pas një aksioni të gjatë nga e djathta e sulmit, topi i krosuar në zonë shkon pas ndërhyrjes së mbrojtjes te Toni Kroos, që pas një lëvizjeje të zgjuar në hyrje të zonës godet saktë duke e çuar topin në rrjetë në krahun e djathtë të portierit Oblak.
46′ – Goditje e rëndë për Reali sapo nis pjesa e dytë. Niguez nga e majta kroson në qendër për Moratan, që shënon të dytin personal, 3-1.
