Barcelona rikthehet në majën më të lartë të futbollit spanjoll, duke u shpallur kampione për të 27-tën herë në histori. Në “RCDE Stadium”, në derbin ndaj Espanyol, të besuarit e Xavi-t ishin të pamëshirshëm duke arritur një fitore të thellë 2-4, e duke zhytur akoma dhe më tepër në fundin e tabelës rivalët e qytetit.
Në një sezon të dominuar, katalanasit ia dolën të siguronin matematikisht titullin kur duhen dhe katër javë nga fundi i kampionatit.
Skuadra “Blaugrana” koleksionoi gjatë këtij sezoni 27 fitore, duke pësuar vetëm 11 gola. Mbrojtja ka qenë pika më e fortë e Barçës, që ka mbrojtjen më të fortë, teksa ka pësuar vetëm në 9 nga 34 ndeshjet që ka luajtur gjatë këtij edicioni.
Një sukses i jashtëzakonshëm, për të nisur një kapitull të ri, pas një periudhe ku Barcelona e kishte humbur shkëlqimin e saj.
Mbyllja më e mirë e mundshme edhe për kapitenin Sergio Busquets, i cili në fundin e këtij sezoni do të ndajë rrugët me skuadrën ku u rrit dhe fitoi gjithçka. Një lamtumirë e ëmbël, duke ngritur lart titullin kampion, për t’i hapur udhë një epoke të re.
Një titull dhe për Lewandowskin, i cili me dy golat e shënuar ndaj Espanyolit shkon në kuotën e 21 golave, duke qenë pretendenti kryesor për të fituar Këpucën e Artë në Spanjë.
Lexo edhe:
- AEK fiton titullin pas pesë sezonesh, nis festa në Athinë
- Drama e Pogbasë, largohet mes lotësh nga fusha
- Donat Rrudhani: Jam shumë i kënaqur për titullin kampion me Young Boys, por tani dua të luaj më shumë
- Për biletën e finales duhet një mrekulli, Leao “bën me krahë” Milanin
Meritë të padiskutueshme dhe për trajnerin Xavi, i cili rikthen në shtëpinë e tij jo vetëm një titull kampion, por dhe shpresën se Barcelona mund të kthehet përsëri në majat më të larta të futbollit spanjoll.
Dy skuadrat e Madridit, Reali dhe Atletico, në këtë edicion mbetën shumë pas katalanasve, duke u hapur udhë drejt një titulli të merituar, me një skuadër që nuk e vuri për asnjë çast në diskutim arritjen e trofeut më të rëndësishëm futbollistik në Spanjë.
Golat
Zhbllokohet shumë shpejt derbi i Katalunjës, Espanyol – Barcelona. Në minutën e 11-të, Balde depërtoi në thellësi nga e majta e sulmit “blaugrana” dhe pasoi në qendër aty ku gjeti gatishmërinë e Robert Lewandowskit për ta devijuar topin në rrjetë, 0-1.
Vetëm 10 minuta më vonë, Barcelona realizoi të dytin me Balde, pas krosimit të Pedrit, 0-2.
Kapitullon që në pjesën e parë Espanyoli. Pak para se të mbyllej ky fraksion, Lewandowski realizon të tretin.
Dominimi i Barcelonës vijoi edhe në pjesën e dytë, teksa në minutën e 53-të radha erdhi për Kounde që të shënonte emrin në listën e golashënuesve, 0-4.
Espanyoli e shënoi golin e nderit në minutën e 72-të me Paudon, 1-4.
Barcelona e lëshoi lojën në minutat e mbetura, duke pësuar edhe golin e dytë që mban firmën e Joselu.
