Asiste për Jurgen Bardhin në Turqi dhe Florent Muslijën në Bundesliga 2. Ish-lojtari i Partizanit, u transferua në muajin korrik nga Tuzlaspor tek Keciorengucu. Ekipi i 24-vjeçarit fitoi në fundjavë 0-2 në fushën e Genclerbirligit.
Bardhi u tregua altruist në minutën e 44-t, ai dhuroi një asist (i katërti sezonal) për Rashad, i cili kaloi ekipin mik në avantazh. Një minutë përpara fundit, Keciorengucu realizoi edhe golin e qetësisë. Ekipi ku aktivizohet edhe Bekim Balaj (në fushë në 75’), kryeson divizionin e dytë të futbollit turk me 18 pikë, po aq sa Eyupspor.
Paderborni mposhti 3-0 në shtëpi skuadrën e Sandhausen, duke arritur suksesin e dytë radhazi me të njëjtin rezultat. Florent Muslija, një prej lojtarëve më të rëndësishëm te përfaqësuesja e Kosovës, dhuroi asistin e golit të tretë.
24-vjeçari krosoi bukur nga goditja e këndit në minutën e 54-t duke gjetur saktësisht kokën e Jannis Heuer, i cili dërgoi topin në rrjetën kundërshtare. Muslija numëron 2 gola dhe po kaq asiste, teksa Paderborni (vendi i dytë) është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në elitën e futbollit gjerman.
