Maroku shënoi dy gola dhe siguroi një fitore të madhe dhe tepër emocionuese 0-2 ndaj Belgjikës në duelin e dytë të grupit F në Botërorin e Katarit. Djemtë e Walid Regragui siguruan tri pikë të arta falë dy golave të realizuar në pjesën e dytë.
Hakim Ziyech, lojtari më i mirë i ndeshjes, mposhti Thibaut Courtois në minutat shtesë të pjesës së parë falë një goditjeje dënimi, por VAR-i anuloi golin. Marokenët nuk u ndalën dhe festuan 17 minuta nga fundi. Lojtari i Sampdorias, Abdelhamid Sabiri përsëriti goditjen e Ziyech te goli i anuluar.
Këtë radhë goli ishte i rregullt dhe në shkallët e “Al Thumana” nisi festa e tifozëve të zjarrtë marokenë. Roberto Martinez përdori edhe kartën Romelu Lukaku, por në minutat shtesë erdhi goli i dytë për Marokun.
Ziyech lëvizi bukur në krahun e djathtë, u fut në zonë dhe dhuroi asist për Zakaria Aboukhlal. 22-vjeçari i Toulouse tundi rrjetën kundërshtare dhe nisi festën me shokët e ekipit. Fitore e merituar dhe vendi i parë në grup për Marokun, ndërkohë që Belgjika zhgënjeu.
“Djajtë e Kuq” patën fat në takimin e parë ndaj Kanadasë, të cilin e fituan 1-0, ndërsa sot dhanë fare pak në fushë dhe u vunë në vështirësi të mëdha nga shpirti luftarak, shpejtësia dhe guximi i lojtarëve të Marokut. Belgjikën e pret finalja ndaj Kroacisë në sfidën e fundit (1 dhjetor).
Kupa e Botës
Katar 2022
Grupi F
BELGJIKË-MAROK 0-2 (Sabiri 73′, Aboukhlal 90+2′)
Kronika e ndeshjes:
90+2′ Maroku gjen golin e qetësisë. Hakim Ziyech protagonist në krahun e djathtë, dhuron një asist për Zakaria Aboukhlal, sulmuesi i Toulouse mposht Courtois.
90+1′ Kundërsulm i Marokut, Abderrazak Hamdallah bllokohet nga Courtois, këndore për Marokun.
82′ Belgjika në kërkim të barazimit, por goditja e kokë e Jan Vertonghen përfundon ngjitur me shtyllën.
73′ Lojtari i Sampdorias, Abdelhamid Sabiri zhbllokon sfidën me një gol nga goditja e dënimit. 0-1 për Marokun.
65′ Provon edhe Dries Mertens, i ardhur nga stoli, Bono sërish i pakalueshëm.
57′ Shans i artë për Marokun. Sofiane Boufal dhuron spektakël, pak milimetra e ndajnë nga goli.
52′ Inkursion i bukur i Eden Hazard, kapiteni driblon një kundërshtar dhe gjuan fort, grushton në këndore Bono.
50′ Gjuan Hakim Ziyech, pret pa probleme Thibaut Courtois.
45+4′ Arbitri anulon golin pasi sheh aksionin në VAR.
45+2′ Hakim Ziyech kalon Marokun në avantazh. Ndërhyn VAR-i.
35′ Achraf Hakimi marshon drejt portës belge me shpejtësinë e tij, “predha” e lojtarit të PSG-së është e pasaktë.
21′ Vjen sinjali i parë nga Maroku. Hakim Ziyech tenton nga larg, topi mbi tra.
19′ Belgjika në sulm, tenton edhe Thomas Meunier, pret pa probleme Bono.
17′ Këndorja e pestë për Belgjikën. Amadou Onana kërcen më lart se të gjithë, mesfushori i Evertonit fiton duelin ajror me portierin, por gjuajtja me kokë nuk është e saktë.
6′ Goditje këndi për Belgjikën, panik në zonën marokene, mbrojtja largon në një tjetër këndore.
5′ Rasti i parë i rrezikshëm për Belgjikën. Thorgan Hazard nis bukur Michy Batshuayi, ky i fundit bllokohet nga Bono, “gardiani” i Sevillas.
Belgjikë-Marok do të ndeshen këtë të diel për raundin e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës Katar 2022. Belgët vijnë në këtë përballjes pas fitores ndaj Kanadasë dhe do tentojnë që të marrin 3 pikë edhe ndaj Marokut në mënyrë që të sigurojnë automatikisht fazën tjetër të Botërorit.
Nga ana tjetër, Maroku kërkon fitoren e parë dhe njëkohësisht mundësinë për të vijuar më tej këtë rrugëtim. Përtej dëmtimeve, ashtu edhe siç deklaroi në prag të kësaj sfide, trajneri Regragui do të aktivizojë nga minuta e parë dyshen Hakimin dhe Mazraoui.
FORMACIONET ZYRTARE
