Divorci me Wanda Narën nuk e ka shqetësuar aspak Mauro Icardin, që pasditen e sotme ka gjetur edhe golin e tij të parë me fanellën e Galatasarayt. Sulmuesi argjentinas ka shënuar golin e fitores në miqësoren ndaj skuadrës tjetër të Stambollit, Istanbulspor, ku luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë.
Kristal Abbazaj e Sindrit Guri ishin titullarë për Istanblusporin, ndërsa Eduart Rroca la pas dëmtimin dhe e nisi nga pankina. Yilmaz kaloi në avantazh Galatasarayn në minutën e 12’, ndërsa skuadra tjetër e Stambollit u përgjigj me Mehmetivic në të 30-ën.
Në pjesën e dytë Galatasaray fitoi një penallti, të cilën e ekzekutoi qetësisht Icardi, duke e dërguar në rrjetë me “panenkën” e famshme dhe shënuar golin e parë me gjigantët turq, ku u transferua këtë verë dhe do të kërkojë rikthimin në nivele të larta.
