Inter tregon forcën në derbin e Kupës së Italisë ndaj Milanit dhe ia del të fitojë me rezultatin e pastër 3-0, duke siguruar kështu kalimin për në finale, pasi ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim pa gola.
Nën një atmosferë të jashtëzakonshme, të krijuar nga mbi 75 mijë tifozë në shkallët e “San Siros”, zikaltrit morën kontrollin e lojës që në minutën e tretë, duke shënuar një supergol me Lautaro Martinez, si për të treguar se e kanë seriozisht dhe duan patjetër finalen e Kupës.
Milani provoi të reagojë, por në disa tentativa të Leaos, gjeti gatishmërinë e Handanovic, teksa pikërisht nga një pritje e portierit zikaltër, nisi aksioni i golit të dytë, që ishte një “tango argjentinase” me Correan që asistoi për Lautaro Martinez, i cili mposhti për herë të dytë Mike Maignan.
Pjesa e dytë nisi sërish me dëshirë më të madhe nga ana e Milanit, që gjithsesi nuk u konkretizua në raste, pasi zikaltrit ishin vendosur mirë në prapavijë dhe nuk lejonin hapësira për kuqezinjtë.
Në minutën e 67’ Mehdi Bennacer lëshoi një goditej nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë, por festa u ndërpre shpejt nga VAR-i, që sinjalizoi një pozicion jashtë loje të Kalulu, i cili nuk preku topin, por ishte vendosur para portierit të Interit, duke i zënë rrezen.
Për të vulosur kalimin në finale, duhej edhe një gol i tretë, që erdhi pikërisht në minutën e 82-të, me një aksion mjaft të bukur të Vidal, që shërbeu për Brozovic, i cili ktheu menjëherë në qendër, aty ku Robin Gosens e kishte të lehtë ta devijojë drejt rrjetës.
Goli i parë me fanellën zikaltër për gjermanin, që vjen pikërisht në derbin ndaj Milanit dhe vulos kalimin në finalen e Kupës së Italisë për Interin, që do të përballet me të kualifikuarën e çiftit Juventus-Fiorentina, takim që do të luhet nesër në orën 21:00.
Inter-Milan 3-0 Lautaro 3′, 40′, Gosens 82′ (SuperSport 2)
82′ – Goooool! Aksion model i Interit, me Vidal qe asiston me zgjuarsi Brozovicin dhe ky i fundit fton Gosensin, që thuajse mbi vijën fatale shtyn topin në rrjetë.
67′ – Bennacer shënon pas zhvillimeve të një këndoreje, por goli anulohet për pozicion jashtë loje të Kalulu, që edhe pse pasiv, është në rreze të portierit.
52′ – Lautaro Martinez pranë golit të tretë personal, pret në pozicion Maignan.
40′ – Gooool! Asist perfekt i Correas për Lautaron, që përballë Maignan e çon për herë të dytë topin në rrjetë, 2-0, festë zikaltër në “San Siro”.
38′ – Ndërhyrje vendimtare e Skriniarit dhe Perisicit, pranë golit kuqezinjtë.
31′ – Sërish i pakalueshëm Handanovic, që nul lejon Saelemaekers të shënojë.
28′ – Bën mrekullinë Handanovic pas goditjes së Leaos nga një distancë e afërt. Topi i devijuar nga slloveni tundi rrjetën e jashtme.
12′ – Frank Kessie tenton prirët me portën, vetëm rrjetë e jashtme.
4′ – Goooooooool!Vetëm tre minuta lojë reziston Milani. Lautaro Martinez realizon një gol fantastik, fluturimthi, pas asistit të marrë nga Darmian, 1-0.
1′ – Starton derbi i Milanos.
Formacionet zyrtare:
