Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

VIDEO/ Franca bind dhe siguron çerekfinalet, Giroud dhe Mbappe eliminojnë Poloninë

Franca mposht Poloninë me rezultatin 3-1 dhe siguron një biletë për në fazën çerekfinale të Katar 2022. Polakët tentuan t’i bënin ballë francezëve dhe në disa momente të lojës ia dolën mbanë mjaft mirë. Megjithatë, ato që vendosën në fund ishin kualitetet e “Les Bleus” që e ndëshkuan Poloninë me Olivier Giroud dhe Kylian Mbappe.

Sa i takon kronikës së pjesës së parë, Franca e nisi me vrull duke kërkuar që të tregonte forcën që në minutat e para. Ishin dy goditje nga ana e Tchouameni dhe Dembele që vendosën në provë portierin Szczesny, respektivisht në të 13-tën dhe të 16-tën. Pas këtij fraksioni loje, Polonia e mori veten dhe gjithashtu “kërcënoi” francezët. Rasti i pari i takoi Robert Lewandowskit që provoi me një goditje nga distanca dhe që përfundoi vetëm pak centimetra larg kuadratit të Lloris.

Gjithsesi, mundësia më e mirë për polakët u regjistrua në minutën e 37-të, kur fillimisht Zielinski e më pas Cash u shfaqën brenda zonës së “Gjelave” me Varane që shpëtoi topin në vijën fatale. Por, ky moment i mirë nuk u shfrytëzua nga polakët që u goditën vetëm shtatë minuta më pas nga ana e Olivier Giroud. Sulmuesi kombinoi bukur me Mbappe dhe përballë Szczesny nuk gaboi. Festë te Franca, gjithashtu një moment krenarie edhe për Giroud që me 52 gola u shndërrua në golashënuesin më të mirë të Francës duke lënë pas një legjendë si Thierry Henry.

Me avantazhin 1-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, ishin sërish Kampionët e Botës në fuqi që u shfaqën më të orientuar drejt sulmit për të gjetur golin e dytë. Mbappe, Dembel, por edhe Giroud provuan, madje ky i fundit shënoi sërish me një roveshatë këtë herë, por loja ishte ndalur më parë për një faull ndaj portierit të polakëve.

Megjithatë, goli i dytë erdhi në minutën e 74-të me anë të një kundërsulmi të ekzekutuar në perfeksion nga ana e Dembele dhe Mbappe me këtë të fundit që përmbylli me sukses aksionin teksa me një goditje preçize në zonë nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit Szczesny.

Një gol që i “preu gjunjët” polakëve dhe i detyroi të dorëzoheshin para kohe, ndërsa Mbappe gjeti kohën edhe për një tjetër gol. Sërish brenda zone, 23-vjeçari goditi me efekt dhe e depozitoi topin në fundin e rrjetës së Szczesny, goli i pestë në këtë Botëror duke udhëhequr renditjen e golashënuesve.

Në fund pati kohë edhe për një gol të Robert Lewandowskit që shënoi nga 11-metrat, një rrjetë që i shërbeu sa për statistikë personale sulmuesit që e mbyll këtë Kupë Bote me dy gola të realizuar. Kështu, me një fitore bindëse, Franca garanton pjesëmarrjen në çerekfinale dhe pret të përballet me fituesen e çiftit Angli-Senegal.

Francë-Poloni 3-1

Kronika e ndeshjes:

90+7′ Lewandowski e humbet penalltinë, por Kounde ishte futur para kohe në zonë. Penalltia vendoset që të goditet edhe njëherë dhe tashmë Lewa nuk fal duke mposhtur Lloris

91′ Goooool! Mbappe i jep edhe goditjen finale Polonisë, sulmuesi realizon me një goditje fantastike në brendësi të zonës

74′ Goooool! Kylian Mbappe shënon edhe golin e dytë për Francën. Një kundërsulm perfekt për “Les Bleus” i përmbyllur me sukses nga ana e sulmuesit të PSG

57′ Giroud realizon në mënyrë spektakolare, por më parë loja ishte ndalur për një dëmtim të Szczesny

44′ Gooooool! Franca kalon në avantazh, Giroud realizon dhe kalon Henry me 52 gola për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Francës

42′ Kounde luan me varëse e cila nuk është e lejuar, arbitrat e kuptojnë me vonesë, por tashmë e detyrojnë ta heqë

37′ Polonia kërcënon seriozisht, fillimisht me Zielinski dhe më pas me Cash, goditja e të cilit ndalet në vijën fatale nga Varane

35′ Mbappe “trullos” Cash, godet në portë por ndal Szczesny

29′ Gabojnë polakët me Griezmann që rikuperon, pason për Dembele dhe në fund Giroud nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë. Gjithsesi, aksioni ishte i parregullt për shkak të pozicionit jashtë loje të Dembele

20′ Kundërpërgjigjet Polonia me Lewandowskin, por goditja e sulmuesit nga distanca nuk gjen kuadratin e Lloris

16′ Janë sërish “gjelat” që rrezikojnë, Tchouameni rikuperon topin dhe më pas Dembele që niset me shpejtësi. Godet sulmuesi i Barcelonës, pret Szczesny në pozicion

13′ Franca jep sinjalin e parë, Tchouameni provon nga distanca, por Szczesny reagon mirë dhe grushton topin

Franca dhe Polonia përballen për fazën e 1/8-tave në Kupën e Botës teksa “Gjelat” vijojnë misonin e tyre për të ruajtur statusin e Kampionëve të Botës në fuqi. Trajneri Didier Deschamps ka hedhur në fushë lojtarët më të mirë të mundshëm teksa qendra e mbrojtjes përbëhet nga Upamecano dhe Varane ndërsa në mesfushë çelësat i besohen Rabiot me Tchouameni teksa përpara rreshtohen Dembele, Mbappe dhe Giroud.

Nga ana tjetër, edhe te Polonia aktivizohen titullarët e zakonshëm me Glik që udhëheq mbrojtjen, Zielinski në mesfushë dhe sigurisht Lewandowski në sulm.

Formacionet zyrtare:

Lajme të tjera

Legjionarët

Moment i vështirë për Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar mori ftesë nga Sylvinho për t’u grumbulluar me kuqezinjtë për miqësoret e muajit mars, por pavarësisht...

Kombëtare

Sulmi është reparti që i ka shtuar më së shumti telashet trajnerit Sylvinho në prag të Euroianit të Gjermanisë, pasi thuajse të gjithë futbollistët...

Kombëtare

Sylvinho publikoi sot listën e lojtarëve që do të përfaqësojnë kombëtaren shqiptare në dy miqësoret përballë Kilit dhe Suedisë. Të programuara për datat 22...

Legjionarët

Ernest Muçi ka shënuar golin e dytë me fanellën e Besiktas. Sulmuesi kuqezi shndërroi në gol një pasim të Milot Rashicës, i cili shërbeu...