Portugalia kaloi edhe pengesën Uruguai dhe u kthye në Kombëtaren e tretë që siguroi kualifikimin në raundin e 1/8-ve të Botërorit Katar 2022, duke iu bashkuar Francës dhe Brazilit.
Kombëtarja luzitane iu fal dygolëshit të Bruno Fernandes për të siguruar tri pikët e radhës në grupin G. Të dy golat e fantazistit të Manchester United, i cili në shtesë goditi edhe shtyllën, u realizuan në fraksionin e dytë të takimit.
Uruguai kishte një shans të artë në pjesën e parë me anë të Rodrigo Bentancur, ndërkohë që pas golit të parë të pësuar në minutën e 54’ nisi sulmet në kërkim të barazimit. Maximiliano Gomez, sulmuesi që luan në Turqi me Trabzonsporin, u ndal nga shtylla.
Golit iu afruan edhe Luis Suarez e Giorgian de Arrascaeta. Dy herë kampionët e botës mbeten në kuotën e një pikë. Sfida e fundit duhet fituar përballë Ganës, teksa për t’u kualifikuar duhet shmangur fitorja e Koresë së Jugut me Portugalinë.
Kupa e Botës
Katar 2022
Grupi H
PORTUGALI-URUGUAI 2-0 (Bruno Fernandes 54′, (pen) 90+3′)
Kronika e ndeshjes:
90+9′ Sërish Bruno Fernandes, por shtylla i mohon golin e tretë 28-vjeçarit.
90+8′ Bruno Fernandez pranë golit të tretë, portieri uruguaian devijon në këndore gjuajtjen fluturimthi të lojtarit të United.
90+3′ Gooool! Penallti për Portugalinë pas ndërhyrjes së VAR-it. Bruno Fernandes ekzekuton saktë, gjen golin e dytë personal dhe kualifikon Portugalinë.
78′-79′ Uruguai insiston për golin e barazimit, rrezikon me Luis Suarez dhe Giorgian de Arrascaeta.
75′ Uruguai shumë afër golit. Maximiliano Gomez, i cili u fut në fushë tri minuta më parë, gjuan bukur, topi ndalet në shtyllë! Me fat, Portugalia.
60′ Reagon Uruguai me Darwin Nunez, goditja e sulmuesit të Liverpoolit nuk ka forcë.
54′ Goooooool! Portugalia në avantazh. Bruno Fernandes kroson nga e majta, CR7 devijon pak me kokë, 1-0 për skuadrën luzitane. Nuk ka prekje nga pesë herë fituesi i Topit të Artë, FIFA i akordon golin fantazistit të Manchester United.
52′ Kundërsulm i Portugalisë, topi shkon te Joao Felix, sulmuesi i Atletico Madrid nuk shënjestron dot portën.
42′ Zëvendësim i detyruar për Portugalinë. 20-vjeçari i PSG-së, Nuno Mendes dëmtohet dhe largohet nga fusha, vendin e tij e zë Raphael Guerreiro i Borussia Dortmund.
32′ Rasti më i mirë i ndeshjes deri në këto momente. Inkursion i bukur i Rodrigo Bentancur, driblon tre kundërshtarë dhe del i vetëm përballë portierit Diogo Costa, i cili i mohon golin mesfushorit të Tottenhamit.
18′ Goditje dënimi për Portugalinë. Provon Cristiano Ronaldo, topi devijohet nga muri uruguaian.
16′ Tenton Joao Felix, devijon mbrojtja e Uruguait në këndore.
12′ Krosim nga e majta, provon me kokë Gimenez, topi mbi traversë.
4′ Cristiano Ronaldo ul bukur me shpatull një top për William Carvalho, ky i fundit gjuan fluturimthi, topi mbi tra.
3′ Mathias Olivera jep sinjalin e parë për Uruguain, e pasaktë goditja e lojtarit të Napolit.
Portugali-Uruguai është dueli më i bukur i ditës së sotme në Katar 2022. Luzitanët e nisën Botërorin me fitoren 3-2 ndaj Ganës, ndërsa dy herë kampionët e botës nuk shkuan më shumë se barazimi i bardhë ndaj Koresë së Jugut në debutimin në Katar. Sonte luhet një finale e parakohshme në grupin H në “Lusail Iconic Stadium”, aty ku të dy skuadrat do të tentojnë maksimumin e pikëve.
Trajnerët Fernando Santos dhe Diego Alonso kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballjeje. Skema taktike është e njëjta: 4-1-2-3. Dy ndryshime në mbrojtje te Portugalia, repart ku do e nisin nga minuta e parë “veterani” Pepe në qendër dhe Nuno Mendes në krahun e majtë. Santos i ka besuar një fanellë titullari William Carvalhos.
30-vjeçari i Real Betis, do të luajë si shkatërrues, ndërkohë që në sulm konfirmohen Joao Felix, Cristiano Ronaldo dhe Bruno Fernandes, me Rafael Leaon që e nis përsëri nga stoli si ndaj Ganës. Tri ndryshime në total edhe në formacionin e Uruguait. Trajneri Alonso ka ulur në stol dyshen sulmuese Luis Suarez dhe Facundo Pellistri, postet e të cilëve i zënë Edinson Cavani dhe Guillermo Varela.
Trajneri ka bërë një modifikim edhe në prapavijë. Në vend të Martin Caceres në krahun e djathtë, është spostuar Jose Maria Gimenez, vendin e të cilit në qendër të prapavijës përkrah kapitenit Diego Godin e plotëson Sebastian Coates i Sportingut të Lisbonës.
FORMACIONET ZYRTARE
