Angli

VIDEO/ Liverpool “skuq” Wembleyn, një grek i jep fitoren në FA Cup

Liverpool vazhdon ëndrrën për të fituar katër trofe brenda një sezoni teksa në Wembley të kuqtë triumfuan nga goditja e 11-metërshave pas 120 minutash lojë pa gola ndaj Chelseat. Të kuqtë u treguan më të saktë nga ruleta e penalltive dhe në fund “skuqën” Wembleyn teksa regjistruan suksesin numër tetë në FA Cup, në një sukses që i mungonte prej 16-vitesh.

Sa i takon kronikës së ndeshjes, shkëndijen e parë e dhuroi Luis Dias i Liverpool i cili u ndal nga portieri Mendy ndërsa Chelsea u kundërpërgjigj me anë të Christian Pulisic, teksa gjuajtja e amerikanit shkoi ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga Allison. Ndërkohë, në fraksionin e parë mundësitë për londinezët ishin të shumta me Marcos Alonso por edhe Romelu Lukaku që nuk u treguan të saktë.

Një tjetër episod i rëndësishëm për pjesën e parë ishte edhe dëmtimi i Mohamed Salah i cili u zëvendësua në minutën e 33-të nga Diego Jota ndërsa në dyshim tashmë është edhe prezenca e tij në finalen e Champions League ndaj Real Madrid.

Sakaq, edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për Chelsean me Alonson që këtë herë u ndal nga traversa. Megjithatë, në vazhdimin e pjesës së dytë, të kuqtë e morën veten dhe patën mundësi me anë të Luis Dias dhe Diogo Jotas.

Ndërkohë, në minutën e 85-të Robertson u ndal nga shtylla me ndeshjen që iu drejtua kohës shtesë, e cila në fakt nuk prodhoi më raste dhe skuadrat iu drejtuan goditjes së penalltive. Të kuqtë u treguan më të “ftohtë” dhe shënuan 6 kundrejt 5 golave të londinezëve teksa vendimtar ishte goli i grekut Tsimikas ndërsa më parë kishte gabuar Mane që u ndal nga bashkëkombasi i tij Mendy. Për Chelsean më parë gaboi Azpilicueta dhe Mount që u ndalën nga Allison, dy gabime që rezultuan fatale për ekipin e drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel.

Ky është trofeu i dytë sezonal për të besuarit e Jurgen Klopp që më herët kanë festuar në finalen e Carabao Cup, ndërsa janë në garë për titullin e Premier League, si dhe në finalen e Champions League ku do të sfidojnë Real Madrid më datë 28 maj në Paris.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency