Lyon nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Toulouse në ndeshjen hapëse të javës së dhjetë të Ligue 1. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Tete që në minutën e dytë, por më pas nuk arritën të shënonin golin e sigurisë. Me takimin që mbeti i hapur, miqtë përfituan dhe në fraksionin e dytë barazuan me anë të Ratao në minutën e 67-të.
Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1 me Lyon që mbetet në vendin e shtatë me 14 pikë ndërsa nga ana tjetër, Toulouse renditet e 11-ta me 12 pikë.
Ndërkohë, në La Liga, Valencia mori një fitore 1-2 në transfertë ndaj Osasunës. Ishte Kluivert ai që hapi llogaritë e sfidës në minutën e 28-të falë një asisti të Cavanit ndërsa në të dytën, dyfishoi Dhiakhaby.
Në të 70-tën, Cavani u bë protagonist negativ teksa humbi një penallti me vendasit që shkurtuan diferencat në minutën e 94 me anë të Brasanac, por që koha nuk mjaftoi për të marrë më shumë. Për t’u theksuar edhe fakti se Osasuna u ndëshkua dy herë me karton të kuq. Pas kësaj fitoreje, Valencia ngjitet e pestë me 13 pikë, ndërsa Osasuna me të njëjtën kuotë pikësh mban vendin e tetë.
