Atalanta nuk hasi aspak probleme ndaj Spezias, fitoi 5-2 në Bergamo dhe siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë, aty ku do të sfidojë Interin, ekipin kampion në fuqi të kompeticionit që transmetohet në SuperSport.
Berat Gjimshiti e filloi takimin si titullar për vendasit. Skuadra e Gasperinit ndodhet në formë të mirë dhe në dy sfidat e fundit ka shënuar 13 gola mes Serie A dhe Kupës!
Ademola Lookman realizoi dy gola të shpejtë (10’, 12’), Spezia reagoi me Albin Ekdal (14’), ndërkohë që Hans Hateboer (26’) finalizoi një aksion fantastik të Atalantës.
Ekipi mik reagoi sërish dhe shtatë minuta përpara fundit të fraksionit të parë gjeti golin e dytë me anë të Daniele Verde.
Pjesa e dytë foli sërish për skuadrën bergamaske, që vulosi triumfin me “manita” falë golit të Rasmus Hojlund dhe autogolit të Ethan Ampadu.
