Featured

VIDEO/ Portugalia mposht Ganën në duelin më të bukur të Botërorit, CR7 vendos rekordin unik

Spektakël, gola dhe emocione mes Portugalisë dhe Ganës, përballje që u fitua 3-2 nga kombëtarja europiane. Dueli i dytë i grupit G në Botërorin e Katarit, ishte një nga ndeshjet më të bukura deri tani, sidomos pjesa e dytë.

Fraksioni i parë i takimit nuk dhuroi emocione, përveç një goli që iu anulua Cristiano Ronaldos, me arbitrin amerikan që vërshëlleu përpara se pesë herë fituesi i Topit të Artë të dërgonte topin në rrjetë.

45 minutat e dyta ishin të çmendura! Pesë gola u realizuan brenda 24 minutave, duke nisur prej minutës së 65’. Cristiano Ronaldo ktheu në gol një penallti të fituar nga ai vetë pas një kontakti të lehtë dhe u kthye në lojtarin e vetëm që shënon në pesë Kupa Bote!

“Yjet e Zinj” barazuan takimin tetë minuta më vonë me anë të Andre Ayew. Portugalia reagoi dhe shënoi dy herë brenda dy minutave me anë të Joao Felix dhe Rafael Leaos, falë dy asisteve të Bruno Fernandes. Gana gjeti golin e dytë një minutë përpara fundit. Osman Bukari tundi rrjetën dhe futi në panik luzitanët, por Portugalia ia doli të festonte në fund.

Kupa e Botës
Katar 2022
Grupi H

PORTUGALI-GANË 3-2 (Ronaldo (pen) 65′, Joao Felix 78′, Leao 80′ / Ayew 73′, Bukari 89′)

Kronika e ndeshjes:

 90+9′ Gana pranë barazimit, portieri i Portugalisë, Diogo Costa, gabon rëndë, por nuk përfiton sulmuesi afrikan.

 

 89′ Rihapet ndeshja. Gana shënon golin e dytë me anë të Osman Bukari, i cili erdhi nga pankina. 

 

 80′ Goli i tretë i Portugalisë. Rafael Leao tund rrjetën tri minuta pasi zbriti në fushë. Asisti i dytë radhazi për Bruno Fernandes.

 

 78′ Portugalia rikthehet në avantazh. Joao Felix shfrytëzon një gafë të mbrojtjes afrikane dhe dërgon topin në rrjetë pas asistit të Bruno Fernandes. 

 

 73′ Barazon Gana. Andre Ayew merr një asist nga Mohammed Kudus dhe dërgon në ekstazë tifozët ganezë.

 

 65′ Portugalia në avantazh. Cristiano Ronaldo gjuan saktë dhe nis festën me shokët e ekipit.

 

 62′ Penallti për Portugalinë pas rrëzimit të Cristiano Ronaldos në zonë. Arbitri amerikan e cilëson faull shtyrjen e Mohammed Salisu.

 

 55′ Cristiano Ronaldo nuk shfrytëzon një mundësi të mirë, Gana niset në kundërsulm. Inkursion fantastik i Mohammed Kudus, gjuajtja e 22-vjeçarit të Ajaxit përfundon ngjitur me shtyllën.

 

 36′ Otavio gjuan, por nuk ka forcë dhe është qendrore. Ati-Zigi pret pa probleme goditjen e lojtarit të Portos.

 

 31′ Cristiano Ronaldo shënon, por arbitri kishte vërshëllyer më parë për një faull ndaj mbrojtësit Alexander Djiku. Nuk vlejnë protestat e lojtarëve portugezë.

 

 10′ Portugalia rikuperon një top në mesfushë, Fernandes nis bukur Ronaldon, i cili nuk e merr siç duhet topin dhe bllokohet nga dalja e portierit Lawrence Ati-Zigi.

 

Uruguai-Koreja e Jugut përfundoi në barazim pa gola, ndërkohë që tani është radha e duelit tjetër të grupit H në Kupën e Botës Katar 2022. Portugalia e Cristiano Ronaldos sfidon Ganën në “Stadium 974”, stadium me kapacitet 44,089 tifozë.

Fernando Santos i ka besuar repartin e sulmit CR7, Joao Felix dhe Otavios, 27-vjeçarit të Portos, ndërkohë që Rafael Leao e fillon takimin nga stoli. Ronaldo synon ta nisë me gol dhe fitore Botërorin e pestë në karrierë.

“Yjet e Zinj” të Ganës, të cilët nuk ishin pjesë e Rusi 2018, zbresin në fushë me skemën 5-4-1. Maja e sulmit i është besuar Inaki Williams, goleadorit të Athletic Bilbaos, i cili në Katar do të luajë Botërorin e parë në karrierë.

FORMACIONI ZYRTAR

Kliko për të komentuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency