Gana ia del me sukses që në ndeshjen e dytë të Grupit H të marrë tre pikët e para në këtë Kupë Bote. Kombëtarja afrikane mposhti me rezultatin 2-3, Korenë e Jugut duke mbajtur “gjallë” shpresat për një kualifikim në raundin pasardhës.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, Gana gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 24-të falë një goli të Mohammed Salisu. Mbrojtësi i Southampton u tregua i shpejtë në reagim dhe me një goditje brenda zonës dërgoi skuadrën e tij në avantazh. Kombëtarja afrikane shfrytëzoi momentin e mirë dhe pas dhjetë minutave, dyfishoi shifrat falë një goli të Mohammed Kudus.
Lojtari që aktivizohet në rradhët e Ajaks u shfaq i lirë brenda zonës dhe me një goditje me kokë mposhti portierin Kim. Me avantazhin e dy golave në favor të Ganës u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, koreano-jugorët u futën në fushë me një tjetër mentalitet. Aziatikët gjetën golin e parë në minutën e 58-të, falë realizimit të Gue-Sueng që realizoi me kokë pas një harkimi nga krahu i majtë. Vrulli i Koresë vijoi edhe pas golit, teksa tre minuta më pas, gjetën edhe barazimin sërish me të njëjtin autor që i “rrëshkiti” mbulimit të mbrojtjes kundërshtare. Megjithatë, Gana e kaloi shpejt “ngërçin” dhe në minutën e 69-të u rikthyen në avantazh. Ishte sërish sulmuesi Kudus që realizoi për të tijtë teksa me një goditje preçize brenda zone nuk i la shumë shans reagimi portierit Kim.
Në vijim, Korea e Jugut pati mundësinë për të barazuar me anë të Lee, por goditja e këtij të fundit u largua në vijën fatale nga ana e Salisu. Pas këtij episodi, Gana administroi mirë avantazhin dhe koleksionoi tre pikët e para në Grupin H duke marrë për momentin vendin e dytë të klasifikimit teksa ndeshjen e fundit në grup e luajnë përballë Uruguajit.
Nga ana tjetër, Korea e Jugut mbetet në vend të fundit me vetëm një pikë dhe ndeshjen e radhës e luan ndaj Portugalisë teksa është maksimalisht e rrezikuar për ta mbyllur në fazën e grupeve aventurën e saj në Botëror.
Kore e Jugut-Ganë 2-3
Kronika e ndeshjes:
76′ Mundësi për Korean, Salisu shpëton skuadrën e tij nga një gol i sigurt teksa topi po i drejtohej rrjetës
69′ Gana rikthehet në avantazh, Kudus realizon golin e tretë dhe të dytin personal duke ndezur festën tek skuadra e tij
61′ Barazohen shifrat, Korea shfrytëzon momentin e mirë dhe rikthen ekuilibrat sërish me Gue-Sueng
58′ Korea e Jugut shkurton diferencat, Gue-Sung rikthen aziatikët në lojë
34′ Gana shënon edhe golin e dytë, afrikanët godasin sërish Korenë në zemër të mbrojtjes. Këtë herë është Kudus ai që realizon
24′ Gana kalon në avantazh, pas një harkimi në zonë është Salisu që reagon më shpejt se të tjerët dhe dërgon sferën në rrjetë
